OSBE dënon fuqishëm dhunën e sotme në Prishtinë

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger e ka dënuar fuqishëm dhunën që ka shpërthyer sot në Prishtinë, gjatë mbajtjes së protestave, me ç’rast janë lënduar dhjetëra policë dhe protestues.

Lajme

27/01/2015 19:55

 “Unë jam i shqetësuar me ngjarjet që ne i pamë sot”, citohet të ketë thënë Ambasadori Schlumberger.

“Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë por ata duhet që ankesat e tyre t’i shprehin në mënyrë paqësore. Dhuna nuk është zgjidhje”, ka thënë më tutje ai.

Përmes një kumtese të lëshuar nga OSBE, ky ambasador ka kërkuar nga të gjitha partitë që të veprojnë me përgjegjësi dhe të përdorin dialogun si rrugën të vetme për të ecur përpara.

OSBE ka njoftuar se do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën dhe se është e gatshme që të kontribuojë në uljen e tensioneve.