Organizohet pritje për grupin që punoi në përgatitjen dhe negocimin e Agjendës së Reformave të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kanë organizuar pritje për grupin që ka punuar në përmbylljen e Agjendës së Reformave të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes, duke shënuar kështu suksesin në përgatitjen dhe negocimin e saj. Kurti u shpreh se kur është bërë prezantimi zyrtar i këtij instrumenti…
Lajme
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kanë organizuar pritje për grupin që ka punuar në përmbylljen e Agjendës së Reformave të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes, duke shënuar kështu suksesin në përgatitjen dhe negocimin e saj.
Kurti u shpreh se kur është bërë prezantimi zyrtar i këtij instrumenti nga ana e Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, më 8 nëntor të vitit 2023, “të gjithë kemi kuptuar rëndësinë e tij dhe kemi filluar punën dhe angazhimin serioz në këtë proces”.
“Negocimi i agjendës së reformave dhe Planit të Rritjes në tërësi ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar. Ka qenë një proces i ngjeshur i analizimit, draftimit, negocimit, dhe koordinimit të kësaj agjende të reformave, e puna po zhvillohej paralelisht si në Bruksel ashtu edhe në Prishtinë”, u shpreh Kurti, njoftojnë nga kryeministria.
Tutje bëhet e ditur se i pari i qeverisë tha se Kosova ka respektuar të gjitha afatet dhe ka dorëzuar në kohë gjithnjë draftet e kërkuara për agjendën e reformave. “Pothuajse në të gjitha rastet Kosova ka qenë e para. Është punuar shpejt, me përgjegjësi dhe pastër si për kostot financiare për secilën reformë, ashtu edhe për listën indikative të projekteve investive”.
Ai po ashtu tha se është bërë një punë e shkëlqyer që plani të ketë pronësi, të jetë relevant për nevojat e Kosovës dhe të jetë në harmoni me dokumentet e tjera strategjike e të planifikimit të vendit.
Në këtë pritje, kryeministri shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe falënderoi të gjithë për punën e shkëlqyer.
Si rezultat i këtij plani, bazuar në zbatimin e reformave të dakorduara me Komisionin Evropian, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro, thuhet tutje në njoftim.