Organizatat e të rinjve: Fushata zgjedhore të jetë e mbështetur në parime

Në ditën e fundit të javës për të Drejtat e Njeriut u organizua një aksion simbolik para selive të partive politike ku u përcoll kërkesa që gjatë zotimeve zgjedhore diskursi publik të jetë gjithëpërfshirës, respektues dhe i mbështetur mbi parimet e të drejtave të njeriut. Rrugëtimin e nisën nga Vetëvendosja, për të vazhduar te PDK-ja,…

Lajme

13/12/2024 20:46

Në ditën e fundit të javës për të Drejtat e Njeriut u organizua një aksion simbolik para selive të partive politike ku u përcoll kërkesa që gjatë zotimeve zgjedhore diskursi publik të jetë gjithëpërfshirës, respektues dhe i mbështetur mbi parimet e të drejtave të njeriut.

Rrugëtimin e nisën nga Vetëvendosja, për të vazhduar te PDK-ja, LDK-ja e deri tek AAK-ja në Arbëri.

“Që fushatat dhe programet e tyre politike të reflektojnë me përkushtim të sinqertë ndaj të drejtave të njeriut, barazisë dhe dinjitetit të çdo individi”, ka thënë Rina Kadiri, drejtore e programeve në YIHR

Marshi vazhdoi te selia e partisë tjetër, PDK-së, me qëllimin dhe mesazhin e njëjtë.

Kurse Marigona Shabiu drejtoreshë e YIHR, ka thënë se ky aksion është një përpjekje për të ngritur një standard të ri për fushatat zgjedhore dhe politik bërjen.

Para selisë së LDK-së, u takuan me deputeten Doarsa Kica-Xhelili, e cila shprehi përkrahjen e plotë për këtë iniciativë.

“Mendoj që ne në programin tonë politik e kemi shumë të qartë se në çka besojmë. Në formatin aktual të asaj qysh është gjuha e kodit civil unë e kam votuar. Do të thotë jam një person i cili bashkësinë civile e ka votuar. Partia jonë është parti e djathtë, që beson në familje, rrjedhimisht ne nuk imponojmë mendime”, ka thënë Kica-Xhelili.

Më pas, marshuesit vazhduan para selisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me pankarta në duar që bartnin mesazhet për të drejtat e njeriut.