Orët e fundit të fëmijëve të aksidentuar në Qerret

Lajme

15/05/2016 10:00

Tragjedia e Qerretit do të kujtohet gjatë si një prej atyre ngjarjeve që nuk të lënë më të gjykosh e as të tentosh të gjesh fajtor në lidhje me një vdekje që ka tronditur jo pak opinionin publik, ndonëse ky opinioni jonë tronditet shpesh kohëve të fundit.

Ngjarja ku humbën jetën dy të mitur në një aksident teksa udhëtonin me nënën e tyre, duket se është mbyllur tashmë në atë banesë ku gjithë pjesa tjetër e familjes mbytet në gjëmën e vet. Dy engjëjt e tyre kanë ikur nga kjo botë në një mënyrë të frikshme, ndërsa në pranga kanë përfunduar tre zyrtarë të Autoritetit Rrugor. Sjellim rrëfimin e prindërve dhe njerëzve të familjes së dy fëmijëve të vegjël, të cilët nuk jetojnë më, madje edhe impresionet që vijnë nga e mbijetuara e familjes, si për të mbajtur gjallë shpresën e madhe të atij çifti se jeta vazhdon. “Dritare.net” ka qenë në shtëpinë e Sokol Negollarit dhe ka sjellë rrëfimet e të zotit të shtëpisë dhe të gjyshes së dy të miturve që s’janë më.

Përballja

Më 7 maj, një aksident përgjaku aksin rrugor Kavajë–Rrogozhinë me gjakun e dy fëmijëve të vegjël. Silva Negollari ishte nisur për të takuar burrin e saj në burgun e Rrogozhinës, e shoqëruar nga tre fëmijët. Por Aliçen dhe Dritanin, babai i tyre Sokoli, do t’i shihte për herë të fundit në dy arkivolë të vegjël. “Dritare.net” shkoi në shtëpinë e familjes Negollari, një shtëpi dykatëshe, fshehur në rrugicat e “Durrësit të Ri”, ku humbet, nëse nuk të ndihmojnë. Dhe të ndihmon çdokush sepse të gjithë e dinë shtëpinë e tyre, tashmë. Në oborrin e zbrazur, qëndron Sokoli, i cili është në detyrim paraqitjeje. E gjejmë duke punuar kopshtin, që më shumë ngjan si një arratisje nga realiteti që po përjeton, se aty kopsht nuk ka. Me zë gati të mbytur na tregon se ishte vetë gruaja e tij, e cila kishte nxjerrë një prej fëmijëve nga makina.

Silva

“Silva ka humbur kontrollin e makinës dhe makina është përplasur me trafikndarësen që ishte me llamarina. Por ajo nuk ishte shpejt, pasi në autostradën ku lejohet me 100km/h, ajo ishte vetëm me 60km/h.” Me shikimin e ulur, Sokoli na fton të hyjmë brenda dhe të takojmë të shoqen e dy gjyshet e fëmijëve, pa dashur të shtojë gjë më shumë. “Nuk kam çfarë të them, mua fëmijët më ikën. Nuk dua t’ia vë fajin askujt, madje as nuk dua të flas për arrestimin tim, për ndërtimin pa leje. Nuk m’i kthen kush dy fëmijët e mi, çfarëdo të them. Unë fëmijët për herë të parë, pas 4 muajsh, i pashë të mbuluar. Nuk do t’i dëgjoj më te ky oborr të më thërrasin babi, babi,”- thotë Sokoli zëmbytur dhe largohet për të qëndruar vetëm. Edhe pse dyert e mortit vazhdojnë të jenë të hapura, në shtëpi dëgjohet vetëm heshtja e trishtë. Por në moment del nga dhoma vajza 1 vjeçe që i shpëtoi aksidentit. Ebi vogël ndodhej në sediljen e parë të pasagjerit, në koshin e vet, ndërkohë Aliçe dhe Dritani ishin në pjesën e pasme të makinës, pikërisht aty ku hyri trafikndarësja e prerë, që i mori jetën dy engjëjve, djalit 5 vjeç dhe vajzës 3 vjeçe.

E mbijetuara

Ebi mban në dorë një kukull dhe nuk i ndahet gjyshe Adiles. “Kur e lëshoj, vrapon nëpër cepat e shtëpisë dhe bërtet, Aniii, Içeee. Pastaj nuk gjen gjë dhe vjen tek unë prapë. Edhe pse është shumë e vogël, përsëri ia ndjen mungesën vëllait dhe motrës. Po ata nuk janë asgjëkund,”- thotë Adile Dervishi, mamaja e Silvës, që rrotullon sytë nëpër shtëpi, ku nuk shikon asnjë fotografi të fëmijëve të vegjël. Mamaja e Silvanës, nuses 24-vjeçare të asaj shtëpie në mort që prej një jave, tashmë e bën jetën në dy qytete, një ditë rri në Tiranë, ku jeton dhe një ditë tjetër shkon në Durrës. “Kam frikë ta lë vajzën, edhe pse është e rrethuar me njerëz, tashmë është momenti që ajo ka më shumë nevojë për mua. Se nuk është mirë. Herë-herë e çoj të flejë, se gjumi të ndihmon. Rri e ruaj, kur ajo befas çohet në këmbë në krevat dhe rri, rri në këmbë, pa folur. Më fut frikën dhe e ruaj gjithë kohën, edhe kur shkon në banjë. Më tmerron ideja që Silva të rrijë vetëm. Është e dobët, e përhumbur. Por në të njëjtën kohë në Tiranë është bashkëshorti, që është bërë një grusht dhe sidomos kam frikë për djalin. Është 20 vjeç dhe ishte atje në morg, për të marrë fëmijët. I pa dhe bërtiti. Bërtiti aq shumë sa u dëgjua në gjithë Durrësin. Tani nuk është mirë. I donte shumë ata engjëj të bukur. E di ti sa të bukur ishin!” Znj. Adile tregon se Silva prej katër muajsh ishte bërë nënë e baba, por përsëri nuk i kishte treguar fëmijëve se Sokoli ndodhej në burg, pasi kishte nisur të ndërtonte një shtëpi pa leje në truallin e prindërve, në Gërmenj të Kavajës. “I thoshte që babi është sëmurë e është në spital dhe se do të vijë shumë shpejt. Por ata nuk duronin. E kërkonin përditë. Dhe Silva nuk ia u prishi dot. I mori të tre në makinë dhe u nis. Ditën që ata do të niseshin për në Rrogozhinë, fëmijët sikur e kishin ndjerë që diçka do të ndodhte. Në mëngjes këputën nga një lule, në oborr, dhe i vendosën në kokën e krevatit të tyre,”- thotë Adile dhe pastaj shpërthen në lot.

Njohja me tragjedinë

Edhe pse në të vërtetë kërkon ta harrojë, znj. Adile kujton momentin kur Silva i jep lajmin e hidhur. “Më mori në telefon, duke ulëritur e qarë. U terrorizova, deri sa shkova në spitalin e Durrësit. Nuk doja ta besoja. Pastaj e gjeta atje, si lopë të therur, mes gjakut, me të voglën në kosh tek këmbët e krevatit. Me këtë yll që shpëtoi, që na e la Zoti gjallë.” Me duar që i dridhen Silva sjell kafetë, sytë e saj nuk janë në dhomë me ne, janë të zbrazët. Silva na përgjigjet, kur e pyesim, por nuk është në dhomë. “Më dhemb kraharori, pasi më kapi pjesa e timonit, por asgjë nuk më dhemb sa zemra,”- nis të qajë Silva. Pastaj pushon, lotët i thahen dhe ngre sërish kokën me shikimin bosh. Nuk është në gjendje të tregojë, por vetëm përqafon vajzën e vogël. T’i shohësh nënë e bijë në atë përqafim mbijetese, të bën të ulërish. Por askush nuk ulërin, madje as flet në atë heshtje pafajësie. Edhe znj. Adile nuk do t’ia lërë fajin kujt. “Nuk them dot se i kujt ishte faji, pasi faji është jetim, gjithmonë, sidomos për njerëz të thjeshtë, siç jemi ne. Por pse shkojnë e burgosin një njeri që vetëm donte të ndërtonte çatinë e shtëpisë? Pse nuk kujdesen më parë për rrugët? Por duhej të vdisnin nipi e mbesa ime që të nisnin punimet për t’u rregulluar. Tani për ne nuk ka më ngushëllim dhe gishti mbi fajtorë, nuk ka vlerë”.