ORCA kundër afateve shtesë për provime në Universitetin e Prishtinës

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ka kundërshtuar thirrjen për bojkot të mësimit nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, për shkak të mosplotësimit të kërkesës ilegale për caktimin e afateve shtesë të provimeve në UP. Në reagimin e tyre thuhet se statuti i ri ashtu si edhe statuti i kaluar, janë të qartë…

Lajme

07/11/2024 12:26

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ka kundërshtuar thirrjen për bojkot të mësimit nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, për shkak të mosplotësimit të kërkesës ilegale për caktimin e afateve shtesë të provimeve në UP.

Në reagimin e tyre thuhet se statuti i ri ashtu si edhe statuti i kaluar, janë të qartë që në UP ekzistojnë 3 afate provimesh dhe nuk përmend askund mundësinë e organizimit të afateve tjera të provimeve.
“Organizimi ilegal i afateve shtesë të provimeve, që ishte praktikë e deritashme e Universitetit të Prishtinës, ka dëmtuar cilësinë në arsimin e lartë, ku gjatë këtyre afateve sallat e ligjëratave boshatisen, aktivitetet tjera akademike shuhen në periudha të shpeshta sa herë që mbahen afatet ilegale shtesë të provimeve.” thuhet në reagimin e  ORCA-së.
ORCA ka bërë thirrje  për respektim të ligjeve dhe Statutit, dhe njëkohësisht mbështet vendimin e Senatit që të mos e miratojë asnjë kërkesë që nuk ka bazë në Statut apo në ligje të aplikueshme në Kosovë.
ORCA  po ashtu  u bën thirrje studentëve që ta bojkotojnë apelin e Parlamentit Studentor për braktisje të ligjëratave dhe të vazhdojnë normalisht jetën akademike e të përgatiten për afatin e rregullt të provimeve në janar të vitit të ardhshëm.
Kujtojmë që Senati i Universitetin e Prishtinës në mbledhjen e 30 tetorit me kërkesë të rektorit votoi për heqjen e afateve shtesë, ku thuhet se janë në mospërputhje me rregulloren e Universitetit të Prishtinës./Lajmi.net/