Opozita mobilizon gratë e Pejës për protestën e 17 shkurtit
Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, sot në Pejë mblodhën gra të profileve dhe të moshave të ndryshme për të diskutuar lidhur me aktualitet dhe mënyrat e organizimit për ta rritur shprehjen e pakënaqësisë ndaj Qeverisë.

Lajme
Ndër tjerash, njofton opozita, fokus i diskutimeve ishte dhe protesta e radhës që do të mbahet më 17 shkurt.
“Në këtë tubim, të thirrur nga opozita u përgjigjën shumë gra me të cilat u diskutua rreth marrëveshjeve të dëmshme të nënshkruara në Bruksel dhe Vjenë”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, opozita paralajmëron se deri më 17 shkurt, ditën kur do të mbahet protesta, do të organizohen shumë aktivitete dhe në të gjitha prej tyre do të ketë gra të angazhuara.
“Ato janë meritore për pjesëmarrjen masive në protesta e manifestime këta muaj sa po vazhdon rezistenca kundër marrëveshjeve antikushtetuese. Të pranishmet u shprehën të vendosura në kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve që e rrezikojnë vetë shtetësinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.