Opozita akuzon Veselin se po e blindon Kuvendin

Tri partitë opozitare Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se vendimet e sotme të Kryesisë së Kuvendit (në mbledhjen e së cilës morën pjesë LDK, PDK dhe Lista Srpska) janë absolutisht të papranueshme.

Lajme

14/10/2015 16:20

“Konsiderojmë se këto janë metoda të shtetit policor që dhunon deputetë, arreston kundërshtarët politikë dhe ndalon deputetët të futen në Kuvend. Kryetari i Kuvendit po e blindon këtë institucion duke e vënë nën mbikëqyrje policore. Policia po i mbivendoset demokracisë. Kjo është e papranueshme.

Trajtimi i tillë ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, është në funksion të bosnjëzimit të Kosovës, duke mbrojtur “Zajednicën” dhe në funksion të humbjes së integritetit territorial të Kosovës, duke i dhënë Malit të Zi mbi 10 mijë hektarë”,thuhet në njoftim.

Opozita konsideron se veprimi politik opozitar është tërësisht legjitim, në mbrojtje të shtetit, të integritetit territorial të tij, si edhe në mbrojtje të karakterit qytetar e jo etnik të organizimit tonë shoqëror e shtetëror.

“Etnizimi i territorit të shtetit, i cili po na servohet përmes këtyre marrëveshjeve, “de facto” është logjikë apartheidi dhe segregacioni në baza etnike, që nuk është as në interesin e shumicës e as të pakicës. Prandaj ne jemi të vendosur që të mos e lejojmë një gjë të tillë!”, thuhet më tej në njoftim.

Protesta jonë në Kuvend do të vazhdojë dhe nuk do të ketë kompromis pa u tërhequr marrëveshjet. Çdo tensionim i situatës, pas këtyre masave policore, është përgjegjësi e Kryetarit të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës./lajmi.net/