Opozita akuzon Kryeministrin për manipulim

Partitë opozitare thonë se premtimet e fundit të Kryeministri Thaçi për rritje pagash, shndërrimin e FSK’së në FAK, si dhe Ligjin për Veteranët, janë duke u bërë vetëm për të fituar vota.

Lajme

28/02/2014 19:03

Opozita po i quan premtimet e fundit të Kryeministrit Hashim Thaçi si manipulim të qytetarëve në prag të zgjedhjeve nacionale.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramadani, thotë se këtë strategji premtimesh Kryeministri e ka pasur edhe më herët. Ai thotë se kjo gjë nuk do t’i “dhezë” më Kryeministrit Hashim Thaçi.

“Në zgjedhjet e kaluara Kryeministri Thaçi ka pasur dy strategji. E para me manipulimin e madh me pushtetin dhe e dyta me manipulimin e madh me votat e qytetarëve”.

“Pra, edhe i ka harxhuar ose i ka manipuluar paratë e qytetarëve edhe i ka manipuluar votat e qytetarëve. Në këtë rast po tenton të vazhdojë me manipulimin e parave të qytetarëve, siç u manipulua me pushtetin, por jam i bindur se nuk do të mund të manipulojë as votën e qytetarëve dhe njëkohësisht nuk do ti ndez kjo strategji e dalur mode”, ka thënë Ramadani për KTV.

Ndërkaq, deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi e sheh premtimin për Ligjin për Veteranët si pikën kryesore me të cilën ai thotë se ka manipuluar Kryeministri.

“E kanë sjellë në fund të mandatit të tyre jo për ta kaluar ashtu siç duhet por për ta hequr qafe dhe për të pasur edhe një mundësi që të kthehen tek veteranët dhe të ju thonë që kemi bërë diçka për ta, që në fakt nuk kanë bërë asgjë”.

Ndërkaq, deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, mendon se gjërat që Kryeministri së fundmi ka premtuar, ka mundur që t’i realizojë më parë. Ajo thotë se për ndryshimet në FSK nuk është në dorën e Thaçit, e për Ligjin për Veteranët, Osmani e bën fajtore PDK’në që ky ligj deri më tani nuk është aprovuar.

“Premtimet konkrete që ai po i bën ka qenë gjëra me të cilat ai ka pasur mundësi të merret shumë më herët”.

“Shembull çështja e FSK’së është paraparë rishikimi i sektorit të sigurisë në vitin 2013. Nuk ka pasur asgjë që e ka ndalur që në vitin e kaluar të propozohet një diçka e tillë. Përfundimisht ky nuk është vendim që mund ta merr Kryeministri. Këtë vendim do ta merr Kuvendi me ndryshime të Kushtetutës andaj ai kot premton”.