Operatorët e linjës Podujevë-Prishtinë protestojnë në kryeqytet, akuzojnë komunën për “hakmarrje”

Linjat e autobusëve Podujevë-Prishtinë kanë hyrë sot sërish në grevë, duke lënë pa transport qindra udhëtarë që përdorin këto linja çdo ditë. Shkak për grevën është vendimi i Komunës së Prishtinës për ndalimin e hyrjes së autobusëve në vendin ku zakonisht stacionohen autobusët nga Podujeva. Përfaqësuesit e kompanive të linjës së autobusëve nga Podujeva e…

Lajme

12/03/2025 17:14

Linjat e autobusëve Podujevë-Prishtinë kanë hyrë sot sërish në grevë, duke lënë pa transport qindra udhëtarë që përdorin këto linja çdo ditë. Shkak për grevën është vendimi i Komunës së Prishtinës për ndalimin e hyrjes së autobusëve në vendin ku zakonisht stacionohen autobusët nga Podujeva.

Përfaqësuesit e kompanive të linjës së autobusëve nga Podujeva e kanë cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe kanë akuzuar komunën e Prishtinës për hakmarrje.

Mentor Mustafa, nga Shoqata e Transportit të Podujevës tha se vendimi i Komunës së Prishtinës për ndalimin e autobusëve të linjës Podujeve-Prishtinë që të stacionohen tek vendi i ashtuquajtur ‘Te xhamia e Llapit” është e pa drejtë, dhe është bërë pa paralajmërim nga Komuna e Prishtinës.

“Neve sot na është bërë tejet e pa drejt nga Komuna e Prishtinës, direkt nga Komuna e Prishtinës, kanë dalë i kanë qitë inspektorët me policët dhe na kanë thanë ju nuk guxoni me u ndal në “Te xhamia e Llapit” ose me hi në Prishtinë fare, po sot e keni paralajmërim. Disa kompani i kanë dënuar me disa gjoba sado të vogla, edhe neve nuk na ka informuar as komuna e Prishtinës as ministria. Ne ishim në ministri të cilët nuk kanë kurrfarë informacioni se pse u bë kjo neglizhencë. V 1:08. Arsyeja këtu është pse ne nuk po i lejojmë disa autobusë me hy në Komunë të Prishtinës, që këta kanë interesa për përfitime personale siç po shihet. Ne kemi arrit me ndalë atë sepse është e kundërligjshme”, tha ai.

Ndërsa Egzon Azizi pronor i një kompanie të linjës Prishtinë-Podujeve tha se është vendim i papranueshëm, pasi që në atë vend kanë qarkulluar që 50 vite. Tutje Azizi thotë se këtë vendim komuna e Prishtinës e ka marrë pa pëlqim nga Ministria e Infrastrukturës.

“Vendimi për mos me hy në qytet, ku kemi qarkulluar prej para luftës, edhe në kohë të luftës, e mbas luftës që 50 vite stacioni i autobusëve për Podujevë është te “Te xhamia e Llapit”. Edhe këtë stacioni e kanë anuluar me një vendim të menjëhershëm Komuna e Prishtinës pa marr pëlqim nga Ministria e Infrastrukturës, pa marr pëlqim nga Ministria e Administratës së Pushtetit Lokal e cila duhet të konsultohet, të cilat nuk janë ndryshime të vogla. Është vendim i pa pranueshëm për të gjithë qytetaret e Podujevës, është vendim i pa drejtë”, tha ai.

Ndërsa Luftar Braha nga Komuna e Prishtinës në lidhje me këtë çështje tha se vendimi është marrë për të i drejtuar autobusët nga Podujeva drejt stacionit të Prishtinës me qëllim që ë lirohen rrugët e qytetit, dhe qarkullimi i transportit urban të jetë sa më i mirë.

“Vendimi është marrë për të rregulluar hyrjen brenda në kryeqytet dhe me i drejtuar ata drejt stacionit të autobusëve. Duke u tentuar gjithmonë dhe motivin dhe qëllimin më të mirë për me i lirua rrugët e qytetit për qytetarët e Prishtinës dhe qarkullimin sa ma të mirë të transportit urbanë, si dhe të makinave tjera kryesisht të qytetarëve të Prishtinës, me qëllim të parë lirimin e rrugës Ilir Konushefci e cila është shumë afër komunës prej Xhamisë së Llapit e këndej.. Prandaj nuk është qëllimi me i ndalu me hy në kryeqytet por është qëllimi me i drejtuar me u ndal te pika kryesore që është stacioni i autobusëve”, potencoi ai.

Sipas tij, vendimi i Kryetarit të Komunës rregullon trasenë e linjave ndërurbane në zonat urbane dhe e barazon edhe Podujevën me Drenasin, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën, Ferizajin e të gjitha qytetet tjera që të përdorin rrugët rajonale dhe pikëndalimi ta kenë Stacionin e Autobusëve.

Po ashtu sipas tij, liron ngarkesën e trafikut në rrugën hyrëse dhe dalëse Ilir Konushevci, e njohur në publik si Xhamia e Llapit, si dhe me reformën e Transportit Publik dhe biletën e unifikuar, qytetarët nga gjithë Kosova kanë çasje në të gjithë qytetin me vetëm 80 cent në ditë.

Muajt e fundit ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme ndërmjet përfaqësueseve të linjës së autobusëve Podujevë-Prishtinë dhe komunës së Prishtinës. Greva pritet që të vazhdoj edhe në ditët në vazhdim deri në gjetjen e ndonjë zgjidhje.