Operacioni ‘Rruga e malit 3’ – Policia konfiskon duhan pa banderola e mbi 700 kg mish që po transportohej në kushte të rrezikshme sanitare

Policia Kufitare është duke zbatuar një plan operativ ‘Rruga e malit 3’, në të cilin parashihen aktivitete të planifikuara dhe aktivitete shtesë në parandalim të kontrabandës dhe akteve tjera kriminale ndërkufitare. Në tri raste të ndara policët kufitarë kanë parandaluar kontrabandën me mallra, ku është konfiskuar sasi e duhanit pa banderolë si dhe sasi e…

Lajme

26/06/2025 14:00

Policia Kufitare është duke zbatuar një plan operativ ‘Rruga e malit 3’, në të cilin parashihen aktivitete të planifikuara dhe aktivitete shtesë në parandalim të kontrabandës dhe akteve tjera kriminale ndërkufitare.

Në tri raste të ndara policët kufitarë kanë parandaluar kontrabandën me mallra, ku është konfiskuar sasi e duhanit pa banderolë si dhe sasi e mishit.

“Më datën 24.06.2025 në fshatin Korminjan, është ndaluar automjeti ku është vërejtur se i njëjti kishte duhan pa banderola në qese të zeza najloni të llojeve të ndryshme me peshë të përgjithshme gjithsej 275 kg. Në lidhje me rastin, iniciohet rasti ‘kontrabandë me mallra’, ku malli dhe vetura konfiskohen dhe i dorëzohen Doganës së Kosovës. Në dy rastet tjera, më datën 25.06.2025, në fshatin Korminjan, janë ndaluar dy automjete: njëri me targa të Serisë, tjetri automjet pa targa, ku gjatë kontrollit të ngarkuar në njërin automjet është hasur mish dhe produkte të tjera: mish i bluar për skarë 700 kg dhe virshlle 20 kg, kurse në automjetin tjetër mish i bluar për skarë 200 kg, birra Tuborg 0.5l 200 shishe”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka thënë se për rastin është njoftuar inspektori i AUV-it, kurse automjetet dhe malli dorëzohen në Doganën e Kosovës tek Dheu i Bardhë.

Sipas Policisë malli (mishi) po transportohej në kushte të rrezikshme sanitare në këtë kohë të nxehtë duke rrezikuar edhe shëndetin e qytetarëve.