Operacioni “Qielli i thyer” lidhet me përgjimet në “SkyECC” për trafikim droge e shpëlarje parash – Deri më tani të arrestuar 30 persona

Autoritetet në Kosovë njoftuan se kanë arrestuar shtatë persona gjatë një operacioni të zhvilluar sot në rajonin e Prishtinës dhe Pejës. Policia dhe Prokuroria Speciale e Kosovës thanë se të arrestuarit dyshohen për përfshirje në vepra të ndryshme penale sikurse pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve…

Lajme

24/09/2025 21:10

Autoritetet në Kosovë njoftuan se kanë arrestuar shtatë persona gjatë një operacioni të zhvilluar sot në rajonin e Prishtinës dhe Pejës.

Policia dhe Prokuroria Speciale e Kosovës thanë se të arrestuarit dyshohen për përfshirje në vepra të ndryshme penale sikurse pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe pastrim të parave.

Operacioni, i koduar “Qielli i Thyer” u realizua në 25 lokacione të ndryshme.

“Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar SkyECC për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale”, u tha në njoftim, shkruan lajmi.net.

Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë:

638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë;

Një ( 1 ) peshore për matjen e lëndëve narkotike;

11,065 euro para të gatshme;

34 automjete;

Shtatë (7) armë zjarri;

Dokumente personale me identitet të rremë;

Pajisje elektronike;

Dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar.

Operacioni është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë europiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.

“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbesin të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar, duke synuar jo vetëm parandalimin, por edhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cenojnë ligjin dhe rendin”, theksohet në njoftim.

Çfarë ndodhi në qershor?

Në qershor të këtij viti, Policia e Kosovës kishte arrestuar 22 persona në një operacion antidrogë. Autoritetet thanë se shkatërruan një grup të krimit të organizuar dhe trafikimit me narkotikë, që dyshohet se i kishin kryer veprën penale të krimit të organizuar përmes aplikacionit SkyECC.

Aplikacioni SKYECC ishte krijuar nga një kompani kanadeze për komunikim të sigurt. Por, vitet e fundit ky aplikacion po përdoret për koordinimin e aktiviteteve të grupeve kriminale në mbarë botën.

Në gusht, Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatim të Ligjit (Europol) goditi një grup kriminal në Shqipëri, që po ashtu kishte përdorur këtë aplikacion për komunikim.

600 policë ishin të angazhuar në aksionin e 3 qershorit. Përveç të arrestuarve, nga ky aksion ishin konfiskuar narkotikë, 129 vetura, afro 135 mijë para të gatshme, armë, ora dore, fishekë etj.

Po ashtu ishin ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 400 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast.

Ky operacion, i koduar “Qielli i Thyer”, ishte zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, dhe ishin realizuar bastisje në 47 lokacione të ndryshme.

Të arrestuar nga aksioni në këtë rast ishin: Shemsi Bahtiri, Rexhep Nikçi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Buçetaj, Erduan Ismajli, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Ylli Musliu, Safet Ljajic, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardian Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy.

Derisa sipas komunikatës së përbashkët të PSRK-së dhe Policisë së Kosovës, aksioni ishte zhvilluar në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

“Angazhimi dhe puna e koordinuar ka rezultuar me shkatërrimin e një grupi të krimit të organizuar” – thuhej në komunikatë.

Arrestimi edhe i një të dyshuari më 11 shtator 2025

Policia e Kosovës , sektori qendror për hetimin e narkotikëve në Prishtinë pas një pune të gjatë intensive hetimore dhe operative ndaloi edhe një person të dyshimtë.

Në koordinim me njësitë policore kufitare deh Prokurorisë Speciale, personi i dyshimtë u ndalua më 11 shtator në pikën kufitare Hani Elezit- në vazhdën e hetimeve në rastin e njohur si “Qielli i Thyer”.

I lartcekuri po tentonte të futej në Kosovë, duke shfrytëzuar identitet tjetër, me të cilin identitet poashtu ka qenë në stoplistë.

Ai u ndalua nga policia kufitare dhe është njoftuar njësiti anti-drogë.

Në cilësi të provave materiale tek i dyshuari u gjetën dhe u sekuestruan dëshmi relevante si veturë, telefon, kartela bankare dhe dokumente identifikimi.

Ndërkaq në total deri më tani numri i personave të arrestuar lidhur me këtë aksion të Policisë ka shkuar në 30. /Lajmi.net/