Operacioni për Masakrën e Reçakut: Konfiskohen para, uniforma e pajisje policore

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në Masakrën e Reçakut, e kryer më 15 janar 1999. Gjatë një konference për media, autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë operacionit janë sekuestruar dëshmi të ndryshme materiale, përfshirë bexha policorë, uniforma, çanta ushtarake,…

Lajme

14/06/2026 14:03

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në Masakrën e Reçakut, e kryer më 15 janar 1999.

Gjatë një konference për media, autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë operacionit janë sekuestruar dëshmi të ndryshme materiale, përfshirë bexha policorë, uniforma, çanta ushtarake, video-kaseta, targa automjetesh me shenja “UR”, katër telefona mobilë, një aparat fotografik, mbi 40 fishekë, më shumë se 30 mijë euro para të gatshme, si dhe mbi 3 mijë euro në dinarë serbë.

Sipas Prokurorisë, personat e arrestuar dyshohen se kanë qenë pjesë e strukturave policore dhe të sigurisë serbe gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Të arrestuarit janë:

N.P. (1968), nga Shtërpca, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë;

S.J. (1967), nga Betollusha e Shtërpcës, ish-polic i pensionuar;

B.P. (1969), nga fshati Serqe i Shtërpcës, ish-polic, i arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdarë në orët e para të mëngjesit;

S.M. (1968), nga Shtërpca, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë;

S.S. (1966), nga Gjilani, aktualisht i angazhuar në shërbimet postare në Serbi, i cili sipas dyshimeve ka qenë pjesë e formacioneve policore gjatë kohës së kryerjes së krimeve.

Hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni është pjesë e veprimeve hetimore në kuadër të rastit të njohur si “Reçaku II”.