“Operacion i organeve të sigurisë” – Policia e demanton Sveçlën, njoftojnë se pelegrinët serbë ranë në radar të shpejtësisë

Policia e Kosovës dje ka arrestuar 16 serbë, 12 prej tyre në Prizren e 6 në Gjakovë pasi që dyshohet se kanë lidhje me shërbimet e sigurisë serbe. Në lidhje me këtë, mbrëmë (e diel) ka njoftuar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili ka thënë se ishte “operacion i…

Lajme

07/04/2025 12:42

Policia e Kosovës dje ka arrestuar 16 serbë, 12 prej tyre në Prizren e 6 në Gjakovë pasi që dyshohet se kanë lidhje me shërbimet e sigurisë serbe.

Në lidhje me këtë, mbrëmë (e diel) ka njoftuar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili ka thënë se ishte “operacion i përbashkët i organeve të sigurisë”.

“Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet tona të sigurisë më datë 05.04.2025 dhe 06.04.2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. Struktura e të ndaluarve ishte e kombinuar, ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë”, ka shkruar Sveçla.

Por, për këtë ai menjëherë u demantua nga Policia të cilët njoftuan se grupi i parë i pelegrinëve janë ndaluar pasi ranë në radarin e shpejtësisë. /Lajmi.net/