Oliver Ivanovic nuk u sulmua në Qendrën e Paraburgimit

Milena Ivanovic, gruaja e Oliver Ivanovicit, ka thënë se bashkëshorti i saj është sulmuar nga shqiptarët në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, por Drejtori i Shërbimit Korrektues, Shemsi Hajrizi, i ka quajtur këto deklarata të pavërteta.

Lajme

07/03/2014 11:16

Shëndeti i liderit të serbëve të veriut të Kosovës, Oliver Ivanovic, është përkeqësuar përderisa ai ka hyrë në ditën e katërt të grevës së urisë në Qendrën e Paraburgimit nëe Prishtinë, ka thënë gruaja e tij, Milena Popovic-Ivanovic.

Ajo e ka vizituar bashkëshortin e saj në qendrën e paraburgimit të enjten dhe ka thënë se Oliver Ivanovic deri më tani ka humbur katër kilogramë dhe ka pësuar një sulm në frymëmarrje, pas të cilit ka kërkuar që t’i lejohet të dalë pak në ajër të pastër.

“Ka ndodhur një incident. Shqiptarët që ishin jashtë në atë kohë e sulmuan atë fizikisht, e kërcënuan dhe e shanë”, tha gruaja e Ivanovicit.

Por ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Shemsi Hajrizi, ka thënë për lajmi.net se deklaratat e bashkëshortes së Oliver Ivanovicit janë të pavërteta.

“Nuk qëndron dhe nuk është e vërtetë”.

“Janë dezinformata. Nuk ka ndodhur asgjë, e them me plot përgjegjësi”.

“Ai (Oliver Ivanovic) po trajtohet në mënyrë të duhur, në bazë të rregullave të Qendrës së paraburgimit”, ka thënë Shemsi Hajrizi për lajmi.net.

Oliver Ivanovic ka hyrë në grevë urie pasi kërkesa e tij për transferim nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë në atë të Mitrovicës u refuzua nga gjykatësi.

Ai po mbahet në paraburgim për më shumë se një muaj, ndërsa javën e kaluar, një gjykatës ndërkombëtar ia ka zgjatur atij paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë.

Oliver Ivanovic është arrestuar më 27 janar të këtij viti dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për krime të luftës në Kosovë gjatë vitit 1999 dhe krime kundër shqiptarëve në vitin 2000, përfshirë edhe vrasje të rënda.