Të Infektuar: 10419

Të Shëruar: 6058

Të Vdekur: 341

Okinava shpall gjendje të jashtëzakonshme për shkak të COVID-19

14:27 | 1 Gusht 2020

Prefektura japoneze e Okinavës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.

Guvernatori rajonal, Denny Tamaki, u bëri thirrje banorëve të këtij ishulli, që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre gjatë dy javëve të ardhshme.

Ai tha se spitalet janë mbingarkuar pas rritjes së rasteve me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

“Kemi parë rritje dramatike të infektimeve dhe kolapsimi i sistemit të kujdesit shëndetësor duhet të parandalohet me çdo kusht”, tha ai për mediat lokale.

Okinava ka raportuar të premten, më 31 korrik, për 71 raste të reja me COVID-19, teksa numri i përgjithshëm i rasteve ka arritur në rreth 400.

Gjysma e të infektuarve janë personel në bazën ushtarake amerikane që gjendet në këtë ishull.

Gjendja e jashtëzakonshme, që hyn në fuqi më 1 gusht, do të jetë për një periudhë 15-ditore, tha guvernatori Tamaki.

Ndërkaq, në mbarë territorin e Japonisë, disa masa kufizuese do të rivendosen nga java e ardhshme, pas rritjes së numrit të të infektuarve. /REL