OKB: Serbia në vitin 2050, 1.5 milionë banorë më pak
Sipas parashikimeve të OKB-së, Serbia figuron në listën e vendeve me demografi katastrofike, ku popullsia e saj deri në vitin 2050 pritet të reduktohet për 17.2 për qind.

Lajme
Sipas këtyre të dhënave, Serbia aktualisht ka një popullsi prej 8,851,000, kurse ky trend negativ demografik do të qojë në një rënie të popullsisë prej më shumë se një milionë e gjysmë, dhe deri në vitin 2050 në Serbi do të jetojnë 7,331,000 njerëz, transmeton lajmi.net.
Në mesin e 10 vendeve ku popullsia do të reduktohet në mënyrë drastike, përveç Serbisë janë edhe Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Bullgaria, Hungaria, Rumania, Ukraina, Japonia, Letonia dhe Lituania.
Rënia e popullsisë ndiqet edhe nga shumë trende tjera negative, ku popullata serbe do të jetë gjithnjë më e plakur.
Sot popullsia mes moshës 15-59 vjet përbën 59,3 për qind të popullsisë. Dhe deri në vitin 2050 ky numër do të bie në 53,1 për qind, kurse deri në vitin 2100 në 48,9 për qind.
Personat mbi moshën 60-vjeçare sot përbëjnë 24,4 për qind, kurse deri në vitin 2050 do të jenë 32,3, ndërkaq kjo shifër do të rritet në 36,6 deri në vitin 2100. Numri i personave nën 15-vjet do të bie, derisa numri i atyre në moshën mbi 80-vjet në mënyrë drastike do të rritet.
Edhe pse sipas vlerësimeve të OKB-së, numri i popullsisë në 48 shtete shënon rënie, popullsia në botë do të rritet për 1,18 për qind në vit, respektivisht çdo vit në botë ka mbi 83 milionë banorë. Sipas vlerësimeve të Prospektit të Popullsisë Botërore të OKB-së, deri në vitin 2030 në botë do të jetojnë 8.5 miliardë njerëz, kurse në vitin 2050 do të jenë 9.7 miliardë. Derisa në fund të vitit 2100 do të rritet në 11.2.
Në listën e OKB-së figuron edhe Shqipëria, e cila aktualisht ka 2,897,000 banorë, ku sipas parashikimeve pritet që deri në vitin 2050 të pësoi rënie për 186,000 (2,710,000) apo 6,4 për qind. Ndërkaq, Kosova nuk është pjesë e kësaj liste për faktin se nuk është anëtare e OKB-së. (lajmi.net)