OKB-së i kërkohet të marrë përgjegjësinë për vrasjen e Xheladinit dhe Balajt
Një panel i të drejtave të njeriut ka kërkuar nga OKB që të kërkojë falje ndaj familjeve dhe të marrë përgjegjësinë për vrasjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt nga policia e UNMIK-ut, në protestat e shkurtit të vitit 2007.
Lajme
Këtë e bëri me dije kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Për këtë ai ka postuar njoftimin në Facebook:
“Viteve të fundit më ka ra që disa herë ti vizitojë familjet e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, të vrarë nga policia e UNMIK-ut në shkurt të vitit 2007. Familje krenare për Arbenin e Monin, familje punëtore dhe gjithmonë aktive në kauza të drejta, gjithmonë duke na dhënë kurajo për punën tonë. Megjithatë këto familje sikurse edhe shumë familje të tjera të të lënduarve në atë protestë na mundonte një ndjenjë e padrejtësisë për përgjegjësit e krimeve atë ditë.
Sot u zgjova me një lajm të mirë. Tre gjykatës të Panelit të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara kanë vërtetuar përgjegjësinë e policisë së UNMIK-ut duke konstatuar se janë shkelur shumë e shumë rregulla dhe janë shkelur të drejtat njerëzore të protestuesve por më me rëndësi të Arbenit, Monit dhe të lënduarve rëndë.
Edhe pse individët kanë ikur e nuk janë identifikuar paneli ka kërkuar nga OKB të kërkoj falje ndaj familjeve dhe të marr përgjegjësinë për këto krime duke u kujdesur që krime të tilla mos të ndodhin askund tjetër.
Për familjet Xheladini e Balaj, pikëllimi nuk zbutet por tani mund të jenë më të qetë duke ditur se drejtësia megjithatë dikund po respektohet.
Shumë aktivistë nuk u ndalën asnjë ditë duke kërkuat drejtësinë. Këtu dua të përmend Alexandra Channer e cila tërë kohën e ka përcjell rastin duke mos kursyer asgje për drejtësi”.