OKB kërkon hetim të menjëhershëm për Kumanovën

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) kërkon hetim të menjëhershëm, transparent dhe të besueshëm nga autoritetet për rastin e Kumanovës. Ndihmës-sekretar i përgjithshëm i OKB-së, Ivan Shimonoviq, pas një vizite dy ditore në Maqedoni, deklaroi se nevojitet ndihmë ndërkombëtare për hetimin e rastit, por theksoi se mbi gjithçka, hetimi duhet të jetë i besueshëm në sytë e popullit.

Lajme

22/05/2015 18:25

Shimonoviq, pas takimeve me zyrtarë të lartë të shtetit, kërkoi edhe qasje të pakufizuar të Avokatit të Popullit nëpër institucione, duke aluduar në pengesën e tij për të vizituar të burgosurit si dhe keqtrajtimin e tyre.

“Duhet të bëhet një hetim i menjëhershëm dhe i pavarur për rastin e Kumanovës, si dhe për rastin e përgjimeve. Kam biseduar me prokurorin për rastin e Kumanovës dhe ai më tha se disa prej hetimeve janë në progres. Por mendoj se për këtë do të jetë e nevojshme që të ketë një ndihmë ndërkombëtare. Ky hetim ka dimensionin e tij ligjor por ka edhe dimension politik. Më rëndësi është që rezultatet e hetimit të jenë të besueshme për të gjithë”, deklaroi Ivan Shimonoviq, Ndihmës/sekretar i përgjithshëm i OKB-së.

Shimonoviq tha se përveç krizës së pasigurisë që sollën ngjarjet në Kumanovë, populli ka nevojë të dijë edhe të vërtetën mbi aferën e përgjimeve.

“Vizita jonë kishte të bënte më së shumti me aferën e përgjimeve e cila si e tillë, paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Por edhe përmbajtja e përgjimeve nxjerr në sipërfaqe mjaft indikacione për shkeljeve të të drejtave të njeriut”, shtoi Shimonoviq.

Shimonoviç theksoi se i mirëpret bisedimet mes opozitës dhe pushtetit nën monitorimin e ndërkombëtarëve, duke shpresuar se autoritetet do të përfshijnë edhe sektorin civil.

“Përshëndes bisedimet e partisë në pushtet dhe opozitës por kjo duhet patjetër të përfshijë edhe sektorin civil, në mënyrë që të kthehet besimi publik. Gëzohem që ka filluar dialogu politik, si dhe faktin që i pranishëm në to ka qenë edhe komisionari Han. Besoj se ka mundësi për zgjidhje të krizës por nëse kjo bëhet në korniza të të drejtave të njeriut. Zgjidhja e krizës me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve përveçse në Strasburg, më së shumti duhet të bëhet brenda në shtet”, theksoi ai.

Ndihmës/sekretari i përgjithshëm shprehu shqetësimin për hapat prapa që ka bërë Maqedonia që nga largimi 16 vjet më parë i përfaqësuesit të OKB-së në vendin tonë. Shimonoviq numëroi kufizimin e lirisë së shprehjes, presionet ndaj qytetarëve si dhe politizimin e gjyqësorit, fakte këto që sipas tij e kanë ndjekur gjatë gjithë kohës Maqedoninë. Ai bëri apel për ndarjen e partisë nga institucionet si dhe ndarjen e shtetit nga shoqëria./Alsat-M/