Oficerja e FSK-së përfundon me sukses Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm
Majorja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Mimoza Budeci, ka përfunduar me rezultate të dalluara akademike Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm, program i zhvilluar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani. Ky program i avancuar profesional është i dedikuar për përgatitjen e oficerëve në zhvillimin e aftësive të planifikimit…
Lajme
Majorja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Mimoza Budeci, ka përfunduar me rezultate të dalluara akademike Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm, program i zhvilluar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani.
Ky program i avancuar profesional është i dedikuar për përgatitjen e oficerëve në zhvillimin e aftësive të planifikimit operacional, vendimmarrjes dhe udhëheqjes së operacioneve ushtarake në mjedise komplekse dhe shumëkombëshe. Përfundimi me sukses i këtij kolegji konsiderohet një arritje e rëndësishme profesionale dhe një hap i rëndësishëm në avancimin e karrierës ushtarake dhe marrjen e përgjegjësive të reja drejtuese.
Gjatë vijimit të programit, majorja Budeci u dallua jo vetëm për rezultatet e larta akademike, por edhe për profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin e treguar. Si vlerësim për performancën e saj, ajo u përzgjodh të shërbejë si lidere grupi, duke demonstruar aftësi të spikatura të lidershipit, koordinimit dhe bashkëpunimit në një ambient akademik dhe ushtarak shumëkombësh.
Ky sukses përfaqëson një arritje të rëndësishme për oficerët e FSK-së dhe dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm ndaj ngritjes profesionale, zhvillimit të kapaciteteve udhëheqëse dhe përfaqësimit dinjitoz të Kosovës në programet ndërkombëtare të edukimit ushtarak.
Përfundimi i këtij programi nga majorja Budeci kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së dhe në avancimin e standardeve të saj në përputhje me praktikat dhe përvojat e partnerëve ndërkombëtarë.