OEK, anëtari më i ri dhomave ekonomike në Evropë
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), është bërë anëtari më i ri, përkatësisht anëtari i 46-të i asociacionit më të madh evropian të Odave ekonomike – Eurochambres, gjatë punimeve të Asamblesë së 118-të të këtij asociacioni që po mbahet në Luksemburg.

Lajme
Siç thuhet në njoftimin e OEK-ut, ky anëtarësim, që paraqet njohjen më të rëndësishme ndërkombëtare për komunitetin e biznesit dhe sektorin privat të Kosovës, vjen pas një evokimi të gjatë dhe sfidues të menaxhmentit të OEK-ut, në bashkëpunim me Odat mike nga Gjermania, Turqia, Austria, Kroacia dhe shumë partnerë tjerë nga regjioni dhe Bashkimi Evropian, si dhe është rezultat edhe i dialogut dhe marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Anëtarësimi në Eurochambres ka rëndësi shumë dimensionale, në radhë të parë ekonomike, pasi që ka efekte të drejtpërdrejt në integrimin ekonomik të vendit, përkatësisht plotësimin e kritereve ekonomike për anëtarësim në BE, përmes avancimit të bashkëpunimit rajonal, ngritjes së kapaciteteve të bizneseve kosovare dhe partneritetit strategjikë biznesor me vendet tjera anëtare të këtij asociacioni”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Në anën tjetër anëtarësimi vjen në një fazë të rëndësishme të njohjes ndërkombëtare të Republikës të Kosovës, jo vetëm në organizatat politike, por edhe në ato ekonomike, të sportit dhe sidomos tani me procesin e anëtarësimit në UNESCO.
“Për anëtarësimin e Odës Ekonomike të Kosovës në Eurochambres, votuan edhe shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, e në anën tjetër ka pas abstenim nga Serbia dhe Rusia”, thuhet në njoftim.
OEK-u do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm i sektorit privat në Kosovë, përmes angazhimit në vend në drejtim të përmirësimit të politikave dhe kushteve për biznes dhe aktiviteteve tjera ndërkombëtare që mundësojnë gjetjen e tregjeve të reja dhe mundësive për investime.