Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përshëndet heqjen e tarifave për mallrat nga SHBA

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për heqjen e tarifave doganore për të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky vendim vlerësohet si një hap strategjik drejt forcimit të marrëdhënieve ekonomike me SHBA-në, një ndër partnerët më të rëndësishëm politikë dhe ekonomikë të…

Lajme

01/08/2025 12:32

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për heqjen e tarifave doganore për të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky vendim vlerësohet si një hap strategjik drejt forcimit të marrëdhënieve ekonomike me SHBA-në, një ndër partnerët më të rëndësishëm politikë dhe ekonomikë të Kosovës, transmeton lajmi.net

Sipas Odës Amerikane, ky vendim vjen si përgjigje ndaj një rekomandimi të saj të para disa muajve, ku sugjerohej një qasje preferenciale tregtare të njëanshme për të nxitur tregtinë dypalëshe dhe për të përgatitur terrenin për një marrëveshje të ardhshme të tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

“Heqja e tarifave për produktet amerikane e bën Kosovën më atraktive për bizneset amerikane dhe krijon mundësi të reja për konsumatorët dhe kompanitë vendase, duke ofruar produkte cilësore me çmime më konkurruese,” thuhet në reagimin e Odës Amerikane.

Oda thekson gjithashtu se kjo masë do të nxisë rritjen e flukseve tregtare, shkëmbimin teknologjik dhe investimet në sektorë të rëndësishëm ekonomikë, duke sjellë përfitime për të dyja ekonomitë.

Duke përgëzuar Qeverinë për këtë hap, Oda Ekonomike Amerikane ka shprehur gatishmërinë për të promovuar më tej mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

Reagimi i plotë: 

Oda Amerikane mirëpret vendimin e Qeverisë për heqjen e tarifave doganore për produktet amerikane

Prishtinë, 1 gusht 2025 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të hequr tarifat doganore për të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky hap i rëndësishëm pasqyron një demonstrim të fortë dhe strategjik për të avandcuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, partnerin më të ngushtë politik dhe ekonomik që ka Republika e Kosovës. Vendimi është edhe përgjigje në thirrjen e Odës Ekonomike Amerikane të para disa muajve, e cila rekomandonte një vendim të njëanshëm preferencial tregtar, për të nxitur tregtinë dypalëshe si dhe për ta pozicionuar Kosovën në mënyrë të favorshme për një Marrëveshje të ardhshme të Tregtisë së Lirë me Shtetet e Bashkuara.

Duke hequr tarofat doganore për mallrat amerikane, Kosova jo vetëm që forcon atraktivitetin e saj si një partner i besueshëm dhe i hapur për bizneset amerikane, por gjithashtu krijon mundësi të reja për konsumatorët dhe kompanitë vendase për plasim më të madh të produkteve cilësore amerikane, e me çmime më konkurruese. Në të njëjtën kohë, kjo masë hap rrugën për rritjen e flukseve tregtare, shkëmbimin teknologjik dhe investimet në sektorët kryesorë, të cilat do të përfitojnë ekonomitë e të dy vendeve.

Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përgëzon Qeverinë e Kosovës për marrjen e këtij vendimi duke shprehur gatishmërinë për promovimin e mundësive të shkëmbimit më të madh tregtar në të ardhmen. Ne mbetemi të përkushtuar për të promovuar politika që rrisin qasjen në treg, forcojnë lidhjet ekonomike dhe ofrojnë përfitime afatgjata për bizneset dhe konsumatorët si në Kosovë ashtu edhe ata në Shtetet e Bashkuara./lajmi.net/