Oda Ekonomike Amerikane kërkon pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë: Po dëmton aktivitetin ekonomik të Kosovës dhe klimën e investimeve

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur shqetësimin e saj përkitazi me pasojat e liberalizimit të vazhdueshëm të tregut të energjisë elektrike si dhe i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që ta ndërpresë urgjentisht procesin derisa të përmbushen parakushtet thelbësore. OEA ka thënë se paralajmërimet e përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po…

Lajme

04/06/2025 14:17

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur shqetësimin e saj përkitazi me pasojat e liberalizimit të vazhdueshëm të tregut të energjisë elektrike si dhe i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që ta ndërpresë urgjentisht procesin derisa të përmbushen parakushtet thelbësore.

OEA ka thënë se paralajmërimet e përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po bëhen realitet, meqë pak ditë prej kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i tregut, të paktën dy kompani prodhuese kanë njoftuar pezullimin e operacioneve, duke përmendur kostot e energjisë elektrike dhe paqëndrueshmërinë e krijuar si arsye kryesore, ndërsa institucionet shtetërore janë informuar për këto zhvillime.

Sipas OEA, kjo konfirmon se liberalizimi, siç ka nisur të zbatohet, nuk është vetëm i parakohshëm, por po dëmton edhe aktivitetin ekonomik të Kosovës dhe klimën e investimeve.
“Derisa liberalizimi mbetet një domosdoshmëri strategjike në rrugën e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe të BE-së në energji, ky tranzicion duhet të menaxhohet me përgjegjësi, transparencë dhe me përgatitje nga të gjitha palët. Deklarimet e publikuara dje në mediat e Kosovës e që u atribuohen Bashkimit Evropian theksojnë qartazi këtë pikë: liberalizimi duhet të jetë gradual dhe i menaxhuar në një mënyrë që minimizon çrregullimet sociale dhe ekonomike. Ashtu siç është thënë disa herë nga Oda Amerikane dhe nga hisedarët e tjerë që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, liberalizimi ka ndodhur pa përmbushjen e kritereve të nevojshme të tregut, në kushte të konkurrencës së kufizuar në aspektin e furnizimit, duke vendosur një barrë të papërballueshme mbi bizneset e mëdha”, thuhet në komunikatë.

Oda Ekonomike Amerikane ka reaguar në lidhje me deklarimet e krerëve të Qeverisë se presioni i komunitetit të biznesit ka të bëjë me kërkesën për më shumë kohë që këta të mund të përgatiten, duke theksuar se ky është një keqinterpretim i pozicionit të sektorit privat.

“Bizneset kanë kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë të qartë që, para se të kërkohet përshtatja e konsumatorëve, të jetë tregu ai që duhet të jetë i përgatitur. Liberalizimi i një tregu që funksionon me vetëm një furnizues aktiv nuk përbën konkurrencë të mirëfilltë, por një reformë teorike, e zbatuar në moment të vakumit institucional, me pasoja të rënda për sektorin privat dhe për stabilitetin ekonomik të vendit. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit thirrjen e saj drejtuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të ndërmarrë veprime të menjëhershme korrigjuese duke ndërprerë procesin e liberalizimit derisa të krijohet një treg funksional dhe konkurrues, si dhe derisa të vendosen masa mbështetëse kalimtare”, ka shkruar OEA. /Lajmi.net/