​Oda Ekonomike Amerikane kërkon debat për gazin amerikan, kritikon institucionet për mosgatishmëri

Qasja e Kosovës në gazin amerikan u vlerësua si çështje që tejkalon debatin energjetik, duke u ndërlidhur me sigurinë nacionale, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa nuk munguan as kritikat ndaj institucioneve për mungesë gatishmërie për debat dhe për qasje refuzuese ndaj projekteve të tilla. Në tryezën e…

Lajme

30/06/2026 12:05

Qasja e Kosovës në gazin amerikan u vlerësua si çështje që tejkalon debatin energjetik, duke u ndërlidhur me sigurinë nacionale, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa nuk munguan as kritikat ndaj institucioneve për mungesë gatishmërie për debat dhe për qasje refuzuese ndaj projekteve të tilla.

Në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me temën “Nga Debati për Politika te Hapat Praktikë: Qasja në LNG, Gatishmëria e Bizneseve dhe Siguria Energjetike e Kosovës”, u tha se gazi natyror nuk duhet të shihet si zëvendësim i burimeve të tjera të energjisë, por si mundësi shtesë për diversifikim, industrializim dhe rritje të sigurisë energjetike.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane nw Kosovw, Arian Zeka, tha se çështja e gazit amerikan është rikthyer në debat pas disa vitesh, duke kujtuar zhvillimet e vitit 2021, kur sipas tij, Qeveria e Kosovës kishte dhënë përgjigje negative lidhur me programin për zhvillimin e infrastrukturës së gazit të lëngshëm.

“Në shtatorin e vitit 2021, mediat raportonin për një përgjigje përfundimtare që qeveria i kishte dërguar qeverisë së SHBA-ve, që nuk kishte interes për të vazhduar me programin për zhvillimin e infrastrukturës së gazit të lëngshëm. Arsyetimet madje shkonin edhe në atë pikë që nuk po bëhej fjalë për gaz amerikan. Pesë vite më vonë, sërish përgjigja është jo, arsyetimet kësaj radhe janë të tjera. Qeveria kësaj radhe ka zgjedhur alternativa që janë më pak të kushtueshme dhe më fizibile për qytetarët e vendit. Po konsiderohet njëfarë luksi që të jemi në gjendje ti sjellim përfaqësuesit e institucioneve të vendit, nëpër tryeza të tilla dhe të debatojmë me ta”, tha Zeka.

Ndërkaq, anëtari i bordit të Odës Ekonomike Amerikane, Pleurat Hundozi, tha se gazi natyror nuk duhet të shihet si zëvendësim i burimeve të tjera të energjisë, por si një burim shtesë për të cilin Kosova ka nevojë.

“Gazi nuk është zëvendësim i burimeve të tjera të energjisë, kjo po humbet gjatë debatit, nuk është dialog a do ta zgjidhim, Kosova ka nevojë për të gjitha burimet e mundshme të gjenerimit të energjisë, në pikën e djegies, jo vetëm si rrymë. Gazi natyror nuk është zëvendësim i burimeve të tjera”, tha Hundozi.

Learta Hollaj, si eksperte për zhvillim të qëndrueshëm, tha se qëndrimi ndaj kësaj çështjeje lidhet edhe me besimin e Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e ndërlidhur energjinë me sigurinë nacionale.

“Përgjigjja që japim është edhe një reflektim i asaj se sa i besojmë ne aleatit tonë SHBA-ve. Është trajtuar këto ditë me të drejtë kjo temë, se si energjia është në raport me sigurinë nacionale. Ti thuash po, Është një sigurim tutje për ne në NATO, një ndërtim i një shtylle tjetër të sigurisë e rëndësishme sa prezenca e KFOR-it. Është një mundësi tjetër për të forcuar edhe më shumë raportin tonë me SHBA-të, duke u bërë të drejtpërdrejtë një interes që siguria jote të behet interes i tyre”, tha ajo.

Eksperti i ekonomisë, Dardan Sejdiu, tha se gazi duhet të shihet si urë drejt një të ardhmeje që mundëson zhvillim industrial dhe ekonomik, e jo si destinacion final.

“Gazi është urë, gazi nuk është destinacion, urë për një të ardhme e cila lypë një infrastrukturë që mundëson një lloj industrializimi e zhvillimi të vendit. Kosova është pa ambicie sa i përket zhvillimit ekonomik, ambiciet tona fatkeqësisht janë reduktuar nga kalimi vitit, janë reduktuar në shpenzime buxhetore dhe sektori privat është komplet i tkurrur në diskutime. Kur flasim për gazin e para është infrastruktura, varet edhe nga ambiciet. Në çfarëdo industrie, ku eksportojmë, ne ballafaqohemi edhe me një problem tjetër. Çdo ditë e më shumë Bashkimi Evropian, është duke organizuar tregun e vet rreth parametrave që lidh në agjendën e gjelbër”, tha Sejdiu.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e ftojnë Kosovën që t’u bashkohet projekteve rajonale të gazit natyror të lëngshëm (LNG), duke argumentuar se siguria energjetike është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Në një intervistë për KosovaPress, zyrtari për çështje ekonomike në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Micah Savidge, ka thënë se Kosova rrezikon të humbasë mundësi të rëndësishme investimi, nëse nuk siguron furnizim të qëndrueshëm me energji.