Oda Amerikane përsërit thirrjen për heqjen e tarifave ndaj mallrave amerikane dhe mbështet thirrjen e Presidentes Osmani

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që të miratojë një aranzhim të njëanshëm preferencial tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hequr tarifat doganore për produktet amerikane. Përmes një komunikate, Oda Amerikane potencon se mirëpret dhe mbështet fuqishëm deklaratën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa…

Lajme

04/04/2025 09:07

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që të miratojë një aranzhim të njëanshëm preferencial tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hequr tarifat doganore për produktet amerikane.

Përmes një komunikate, Oda Amerikane potencon se mirëpret dhe mbështet fuqishëm deklaratën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila i bëri jehonë thirrjes sonë duke kërkuar pezullimin e të gjitha tarifave për mallrat amerikane. Kjo thirrje thekson rëndësinë strategjike të thellimit të lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara.

Siç është thënë në deklaratën e djeshme të Odës Amerikane, një veprim i tillë do të ishte një hap i rëndësishëm, largpamës që tregon zotimin e Kosovës për tregti të lirë dhe të ndershme, duke e pozicionuar gjithashtu Kosovën drejt një marrëdhënie më të fortë tregtare dhe konsiderimin e mundshëm të një Marrëveshje për Tregti të Lirë në të ardhmen. Partneriteti disavjeçar me Shtetet e Bashkuara – si aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës – duhet të përkthehet në vendime të guximshme e në momente të duhura politike.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se nismat që synojnë avancimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, veçanërisht ato të bazuara në argumente të shëndosha ekonomike dhe vlera të përbashkëta, nuk duhet të bëhen objekt i polemikave të brendshme politike.

Përkundrazi, ato kërkojnë unitet dhe veprim të shpejtë institucional, prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë që të fokusohet në politikat që forcojnë partneritetin global dhe të ardhmen ekonomike të Kosovës.