Oda Amerikane kërkon që të mos implementohet Ligji për Sigurimet

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka kërkuar edhe një herë nga Qeveria në detyrë që të pezullojë implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, specifikisht mbledhjen e premiumeve të sigurimeve shëndetësore, të planifikuar të fillojë më 1 korrik 2017.

Lajme

22/06/2017 11:19

“Arsyet në të cilat do mbështetej vendimi për shtyrjen e implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore do të përfshinin mospërmbushjen e kritereve të shumta të parapara me ligj para fillimit të mbledhjes së premiumeve dhe paqartësive të tjera që kanë shkaktuar huti në mesin e komunitetit të biznesit, përfshirë edhe periudhën e nevojshme për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare”.

Kjo odë përsërit rekomandimin e saj që implementimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore si dhe mbledhja e premiumeve të shtyhet së paku deri më 1 janar 2018, ose deri pas plotësim-ndryshimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore sipas Agjendës Legjislative të vitit 2017, cilado që të ndodhë më vonë.

Poashtu, ata thonë se do të kërkojnë nga Qeveria e re që procesi i plotësim-ndryshimit të këtij ligji të bëhet përmes një dialogu gjithpërfshirës me akterët e tjerë që do të mundësonte implementim sa më të efektshëm të dispozitave të tij, transmeton Klan Kosova.