Në këtë kontekst, festat fetare janë shndërruar në mundësi për të ushqyer ndjenja shoviniste dhe për të glorifikuar narrativat historike serbe, të mbështetura shpesh nga Rusia.
Në vend që ato të përqendroheshin në dimensionin shpirtëror dhe figurën e Krishtit, vëmendja ishte e drejtuar sërish kah Kosova me thirrjet nacionaliste,” theksohet në analizën e “OCTOPUS”, duke shtuar se festat janë përdorur për të krijuar tensione ndëretnike, duke minuar mundësitë për një bashkëjetesë paqësore.
Një element kyç i kësaj strategjie, sipas analizës së “OCTOPUS” është Lista Serbe, e cila është përdorur për të sfiduar sovranitetin e Kosovës dhe për të krijuar një atmosferë tensioni përmes “provokimeve të qëllimshme” dhe “manipulimeve politike.”
Siç përmendet në analizë, “Lista Serbe funksionon si instrument i drejtpërdrejtë i Beogradit,” duke shërbyer si lidhje mes politikave nacionaliste të Serbisë dhe veprimeve konkrete që synojnë të minojnë stabilitetin e Kosovës.
Ky instrumentalizim i fesë dhe përdorimi i simbolikës fetare si mjet për të avancuar qëllime politike ka gjetur mbështetje edhe nga Rusia, e cila ka ndihmuar në formimin e një lidhjeje strategjike dhe në përhapjen e narrativave ruse në Ballkan.
Sipas “OCTOPUS”, “Festimet e Krishtlindjeve Ortodokse janë shndërruar në një platformë për promovimin e agjendave politike, në vend që të përqendroheshin në dimensionin shpirtëror.”
Kjo ka bërë që të shfaqen simbole dhe mesazhe politike gjatë këtyre festave, të cilat janë shndërruar në mjet për të nxitur tensione dhe për të nxitë armiqësi. Autorët e kësaj analize shpjegojnë se ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm në Kosovë.
“Fenomeni i etnizimit fetar nuk kufizohet vetëm në Kosovë, por është pjesë e një strategjie më të gjerë për shtrirjen e ndikimit serb në Ballkanin Perëndimor,” theksohet në analizë.
Aty përmendet edhe dobësimi i fuqisë së Listës Serbe në Kosovë, dhe ngjalljes së panikut në Serbi.
“Rënia e fuqisë së Listës Serbe ka ngjallur panik në Serbi, meqenëse ndikimi dhe kërcënimet e saj ndaj komunitetit serb në Kosovë po dobësohen gradualisht. Rreziku qëndron në mundësinë e një përgjigje agresive nga Serbia dhe Lista Serbe për të rikthyer fuqinë e humbur, duke përfshirë potencialisht sulme hibride ose terroriste të reja kundër Kosovës”, thuhet në analizë, duke shtuar se këto taktika mund të përfshijnë edhe provokime më të rënda, si krijimi i incidenteve të fabrikuara për të fajësuar shqiptarët.
“OCTOPUS” shton se strategjia e Listës Serbe dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, është e bazuar në krijimin e një situate të përhershme tensioni dhe konflikti, duke përdorur propagandën, manipulimin e informacionit dhe provokimet e qëllimshme si mjetet kryesor për të siguruar stabilitetin e pushtetit të tyre.
“Për Vuçiqin dhe Listën Serbe, krijimi i armiqësive të vazhdueshme dhe konflikteve ndëretnike jo vetëm që shërben për të ruajtur pozicionin e tyre në Serbi, por gjithashtu për të minuar sovranitetin dhe stabilitetin e Kosovës brenda dhe në skenën ndërkombëtare”
Në fund, analiza thekson se përdorimi i këtyre metodave për të nxitur tensionet dhe për të minuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë është një pjesë kyçe e përpjekjeve të Serbisë dhe Rusisë për të ruajtur ndikimin në rajon dhe për të sabotuar zhvillimin demokratik të Kosovës.
Linku i analizës