Obama e mbron urdhrin e tij ekzekutiv për imigracionin

Presidenti amerikan, Barack Obama nuk iu ka dhënë rëndësi kritikave të republikanëve lidhur me urdhrin e lëshuar prej tij javën e kaluar, qe që ka të bëjë me politikat e reja të shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth imigracionit.

Bota

24/11/2014 09:15

Presidenti amerikan u ka kërkuar ligjvënësve republikanë që të miratojnë këtë ligj edhe nëse nuk janë të kënaqur me veprimin e tij të njëanshëm.

Në një intervistë për televizionin ABC, presidenti Obama ka thënë se është e rëndësishme që t’i jepet prioritet deportimit të kriminelëve dhe atyre që kanë arritur së fundmi, në vend të atyre që kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara ilegalisht për më shumë se pesë vjet.

I pyetur për një reagim ndaj kritikave të kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, Obama ka thënë se nuk dëshiron të merret fare me komente dhe se përgjigjja e tij e thjeshtë është “miratoni ligjin”.

Për ndryshime rrënjësore në politikat amerikane të imigracionit, presidenti e ka cilësuar planin e tij një zgjidhje logjike dhe të balancuar që nuk ofron amnisti masive dhe nuk lejon deportime në masë.

Urdhri ekzekutiv për imigracionin duke anashkaluar Kongresin ka revoltuar republikanët që janë zotuar të pengojnë planet e presidentit, por Obama ka insistuar se ligji duhet të miratohet, pasi sipas tij të gjithë e kanë të qartë se sistemi aktual ka qenë jofunksional prej dekadash.

“Imigrantët pa dokumente që ndodhen në Shtetet e Bashkuara prej të paktën pesë vjetësh dhe kanë fëmijë me shtetësi amerikane, ose me dokumentacion të rregullt si banorë të përhershëm, do të kenë mundësi të qëndrojnë përkohësisht pa u rrezikuar nga depërtimi”.

“Këta individë duhet të kalojnë kontrollin e biografisë për të vërtetuar se nuk kanë pasur probleme me ligjin dhe të jenë të gatshëm të paguajnë taksa”, thuhet në urdhrin e ri për imigracionin të presidentit amerikanë, që ka gëzuar qindra mijëra azilkërkues në Shtetet e Bashkuara. /lajmi.net/