OAK realizoi takim me Ministrinë e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut

Njohja reciproke mes dy palëve, krijimi i kontakteve me mundësi të vazhdimit të bashkëpunimit të dyanshëm, informimi rreth funksionimit të sistemit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut kryesisht rreth asaj që afekton sektorin privat të ekonomisë,  ishin çështjet kryesore të cilat u diskutuan  mes Delegacionit të Odës së Afarizimit të Kosovës (OAK) dhe Delegacionit të  Ministrisë së Drejtësisë të RMV-së.

Lajme

14/06/2021 18:52

Kryetari i Bordit të OAK-së Skënder Krasniqi përgjatë këtij takimi theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka shënuar përparime sa i përket sistemit të drejtësisë dhe zgjidhes së shpejtë të rasteve gjyqësore, praktikë kjo e cila duhet të ndiqet edhe nga vendet e tjera të rajonit.

Zëvendësministri i Drejtësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut Agim Nuhiu përshëndeti iniciativën e ndërmarr nga OAK për themelimin e linjës së komunikimit mes dy vendeve dhe shkëmbimin e përvojave në çështjet ekonomike.

Zëvendësministri Nuhiu potencoi faktin se këto dy shtete i lidhin shumë gjëra në aspektin ekonomik, ndërsa shtoi që Republika e Maqedonisë së Veriut i është përkushtuar forcimit të sistemit të drejtësisë. Bazuar në punën e bërë deri më tani në këtë aspekt, Maqedonia e Veriut rangohet si shteti i 17 – të në botë për sistemin e drejtësisë, ndërsa i pesti në Evropë dhe i pari në rajon.

Nga të dyja palët ky takim u vlerësua të jetë vetëm si fillim i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave të vendeve tona. /Lajmi.net/