Nxënësit e një klase në një shkollë të Prishtinës bojkotojnë mësimin, shkak dhuna fizike
Dhuna fizike, psikike, sharjet e kërcënimet, janë arsyeja e disa prindërve të nxënësve të klasës VI/3 në shkollën fillore të mesme të ulët “Dardania” në Prishtinë, që kanë detyruar fëmijët e tyre për ta bojkotuar procesin mësimorë që nga e premtja. Tash e tri ditë, kjo klasë nuk po mban mësim, shkak që njëri nga…
Lajme
Dhuna fizike, psikike, sharjet e kërcënimet, janë arsyeja e disa prindërve të nxënësve të klasës VI/3 në shkollën fillore të mesme të ulët “Dardania” në Prishtinë, që kanë detyruar fëmijët e tyre për ta bojkotuar procesin mësimorë që nga e premtja.
Tash e tri ditë, kjo klasë nuk po mban mësim, shkak që njëri nga nxënësit, po në atë klasë, po përdor dhunë fizike ndaj fëmijëve të tjerë, çoftë vajzë apo djalë, ndaj të cilit drejtoria e kësaj shkolle, Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Qendra për Punë Sociale nuk kanë ndërmarrë ndonjë vendim ndaj tij ende.
Ani pse një herë është përjashtuar nga shkolla, ai është rikthyer përsëri në klasë pas dy javësh.
Jo vetëm se fëmijët po frikësohen nga ai nxënës ‘problematik’, por edhe prindërit po heshtin shkaku i frikës së prindërve të tij. Edhe pse ato u prononcuan për media, të njëjtat dëshiruan të mbulojnë fytyrën, shkaku i frikës se mos do të hakmerret babai i tij.
Njëra nga nënat, djali i së cilës ishte rrahur tri herë brenda javës, tha se prindërit janë hasur me këtë problem që nga klasa e parë, por që tani kjo dhunë ka marrë qasje tjetër.
Edhe pse prindërit kanë biseduar me kujdestaren e klasës e drejtorin e shkollës, të njëjtin nuk janë marrë parasysh.
Pas mos zgjidhjes së problemit, e njëjta ka vazhduar në DKA, por arsyetimi i tyre ishte se fëmija duhet të vijojë mësimin si të gjithë të tjerët.
“Ne kemi pasur probleme të vazhdueshme, prej klasës së parë por ka qenë më i menaxhueshëm si fëmijë, tash në klasën e gjashtë ka ndërruar qasjen, është më agresiv i dhunshëm iu shkakton dhunë fizike, psikike. Ne, si klasë në mbledhjen që kemi mbajtur me kujdestaren e klasës, kërkesë e jona ka qenë me gjet zgjidhje kësaj pune dhe i kemi lajmërua për bojkot nëse nuk hasim në mirëkuptimin e tyre. Nuk jemi marrë parasysh, as unë asnjë prind tjetër, kemi vazhduar edhe te drejtori i shkollës, të njëjtin arsyetim e kam marrë dhe unë dhe secili prind që nuk mundet me i dhënë zgjidhje kësaj pune, është ligji për gjithë përfshirje, që ia lënë fëmijës me ardhur në shkollë njëjtë…Dje kam vazhduar edhe në drejtorinë komunale të arsimit, të njëjtat arsyetime i kam marrë edhe prej tyre që ai, duhet me vijua njëjtë sikur të gjithë të tjerët, por që nuk i përcaktohet një asistencë është kërkesë e madhe”, tha ajo.
Nëna tjetër, shtoi se djali i saj është sulmuar nga ai në kokë dhe në fytyrë. Ajo, kërkon zgjidhje, jo vetëm për fëmijët, por edhe për fëmijën që ka problem.
“Shqetësimi jonë është dhuna psikike dhe fizike që ndodh brenda klasës 6/3…00:24 Fëmija im, vazhdimisht ka qenë në këtë klasë, kohë pas kohe është sulmuar nga shoku i klasës, e kemi injoruar, jemi munduar me forma të mira, mirëpo para tre, katër ditësh, është sulmuar dhe i ka mëshuar në kokë edhe në fytyrë, djali është vetëmbrojtur, pasi që ka pajtuar drejtori prapë e ka sulmuar…Nuk jemi kundër këtij fëmiu, çfarëdo çoftë, problemi i tij jemi kundër dhunës… 1:36 Ne kërkojmë një zgjidhje, një zgjidhje më të mirë, jo vetëm për fëmijët tanë, por edhe për fëmijën që ka problem”,shtoi ajo.
Ekipi i KosovaPress, ka qëndruar para objektit të shkollës, por nuk është lejuar të hyj brenda për të marrë pamje të klasës së thatë. Gjatë qëndrimit, ekipi hasi edhe në njërën nga arsimtaret që do duhej të mbante mësimin në klasën e 6-të, e cila në vend se të jepte orën e historisë, po qëndronte në një kafene afër shkollës. E njëjta nuk dëshironte të fliste se pse nuk po mbahet mësimi, duke thënë se “janë organet kompetentë që japin informatat, pse mos me iu pranua.”
“I keni marrë informatat, sigurisht aty ku duhet në nivel më të lartë.. 4:28 Janë organet kompetente që japin informatat, më gjerësisht dhe saktë, aty besoj që ju pranojnë pse mos me iu pranua”, potencoi ajo.
Edhe kujdestarja e klasës, Mirvete Hajrizi, pasi që është telefonuar për disa herë, vijoi se nuk mund të jap sqarime.
“Unë nuk mund të jap sqarime në këtë rast, drejtoria e shkollës mundet me fol”, vijoi Hajrizi.
Pas disa përpjekjesh për t’u takuar me drejtorin e shkollës, Besim Gashi, dërgoi një përgjigje me shkrim.
Në atë përgjigje ai u shpreh se ka qenë në takim me policinë, për të njëjtin rast. Gashi, kërkon nga prindërit të rikthejnë fëmijët e tyre, pasi që të gjithë fëmijët kanë të drejtë për arsim dhe edukim dhe se kërkesa e tyre po bie ndesh me rregullat dhe ligjet e drejtorisë.
“Drejtoria e shkollës me shqetësim po përcjell rastin e bojkotimit të mësimit nga disa nxënës, të shtyrë nga prindërit e tyre. Të gjithë fëmijët kanë të drejtë për arsim dhe edukim, kjo është e rregulluar me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. Ne si shkollë kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për rastin në fjalë, por kërkesa e tyre bie ndesh me rregullat dhe ligjet tona. Për më tepër, në raste të tilla duhet të tregojmë përkrahje dhe të mos lejojmë që të arrijë në këto nivele, ku pa dyshim mendojmë se dëmtohet më së shumti shëndeti mendor i fëmijëve tanë. Si institucione, kemi marrë masa për të mbështetur të gjithë nxënësit, duke u takuar pothuajse me secilin prind dhe duke u shpjeguar situatën në të cilën ndodhemi. U bëj thirrje prindërve të rikthejnë fëmijët në klasë dhe të japim shembull solidariteti dhe mirëkuptimi”, u shpreh Gashi në një përgjigje me shkrim.
E drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Bajram Shala në një përgjigje me telefon theksoi se nuk është i informuar nëse është hapur një rast i tillë në QPS.
“Nëse shkolla e ka referuar, apo policia apo kushdo tjetër, e ka referuar si rast, dhunë apo çka do çoftë ajo, ne kemi publikimin në fushë shërbime, e çka mundemi me ofrua shërbime bëhet prej rastit, duke vlerësuar deklaratën, nëse ajo është pa përkujdesje prindërore atëherë janë procedura të tjera, nëse ka dilikuent trajtohet si dilikuent, shkon në gjykatë ka çështje tjera, kurrë nuk e dimë çka mundet me u ofrua pa ditë se çka është rasti. Nuk po më kujtohet si rast i hapur”, theksoi Shala.
Ndërkaq, nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, janë përgjigjur për KosovaPress se janë të njoftuar dhe komisioni po merret me rastin, në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës dhe QPS-në.
“Lidhur me problemin e paraqitur në shkollën “Dardania,” Drejtoria Komunale e Arsimit është e njoftuar dhe ka ndërmarrë hapa konkret për trajtimin e rastit. Një komision i DKA-së është duke u marrë me rastin, duke bashkëpunuar ngushtë me drejtorinë e shkollës, Qendrën për Punë Sociale (QPS). Rasti po trajtohet me seriozitet të lartë, duke marrë parasysh sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve. Masat që do të ndërmerren do të jenë të bazuara në një vlerësim të plotë të situatës dhe në bashkëpunim me institucionet përkatëse, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të përshtatshëm për të gjithë nxënësit”, u tha në përgjigjen e DKA-së.
Përveç kësaj, nga DKA thonë se masat që do të ndërmerren do të jenë të bazuara në një vlerësim të plotë të situatës.