Nuset shqiptare ia rrisin natalitetin Maqedonisë
Martesat e vajzave nga Shqipëria në fshatin Kosovë në afërsi të qytezës Makedonski Brod, në lindje të vendit, kanë rikthyer gjallërinë në këtë vendbanim.
Lajme
Mediat maqedonase përmes disa reportazheve të hënën kanë sjellë atmosferën në këtë fshat të quajtur Kosovë, ku, siç thuhet, nuset e reja shqiptare kanë rritur natalitetin, informon INA.
Gati të gjithë të rinjtë janë të martuar tani, por edhe ata më në moshë, kurse gratë shqiptare po vazhdojnë të rikthejnë jetën duke sjellë në jetë nga 2 apo 3 fëmijë.
Një shembull i tillë është edhe Boge Mickovski, për të cilin thuhet se ka tre fëmijë. Ai ka nënvizuar se shembullin e tij duhet ta ndjekin edhe fshatrat e tjera.
“Ne i bëjmë thirrje që ata të shkojnë në Shqipëri apo edhe në vende tjera dhe të gjejnë nuse. Vajzat e Shqipërisë duan që të vijnë dhe të jetojnë tek ne. Por vetëm duhet shkuar atje për të gjetur nuset”, theksoi Boge Mickovski.
Fshatarët kanë theksuar se në fshat kanë mbetur edhe tre beqarë dhe se për ta po kërkohen nuse të mira shqiptare.
Për shkak të rritjes së natalitetit, komuna e Makedonski Brodit ka nisur restaurimin e shkollës fillore në fshat.
Përveç kësaj, Komuna po mbështet natalitetin përmes formave të ndryshme sociale dhe financiare. Vajzat shqiptare tashmë janë të kërkuara nga beqarë sllavo-maqedonas edhe në vendbanime tjera.
Një pjesë e madhe e tyre tashmë jetojnë dhe kanë krijuar familje gati në të gjitha vendbanimet e Maqedonisë.