Numri i vogël i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, mbetet sfidë në Kosovë
Në të gjitha shkollat e vendit mësimet i ndjekin 3 mijë e 676 nxënës me nevoja të veçanta, ndërkaq gjithsej numri i asistentëve që punojnë me këta fëmijë është 421. Drejtues të shkollave dhe ata të organizatave për mbrojtjen e fëmijëve, po vlerësojnë së fëmijët me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre po përballen…

Lajme
Në të gjitha shkollat e vendit mësimet i ndjekin 3 mijë e 676 nxënës me nevoja të veçanta, ndërkaq gjithsej numri i asistentëve që punojnë me këta fëmijë është 421.
Drejtues të shkollave dhe ata të organizatave për mbrojtjen e fëmijëve, po vlerësojnë së fëmijët me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre po përballen me sfida të shumta. Ndërkaq, njohës të arsimit, po e shohin si jo efikase punën e asistentëve në integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në procesin edukativo arsimor.
Numri i vogël i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta vazhdon të mbetet sfidë për këtë kategori të fëmijëve dhe familjet e tyre. Në lidhje me numrin e tyre të angazhuar në sistemin arsimor në vend, Ministria e Arsimit, në një përgjigje më shkrim për Radio Kosovën ka bërë të ditur se aktualisht në sistemin e rregullt arsimor janë të përfshirë 3 mijë e 676 nxënës me nevoja të veçanta, e numri i asistentëve që punojnë me këta fëmijë është vetëm 421.
Se fëmijët përballen me mungesë të asistentëve e thonë edhe drejtues të shkollave. Drejtoresha e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “ Ismail Qemali” në Prishtinë, Mimoza Krasniqi, tha për Radio Kosovën se kjo shkollë ka mbi 60 fëmijë me nevoja të veçanta, ndërsa aktualisht nga niveli komunal kanë të angazhuar vetëm 4 asistentë për këta fëmijë.
“Në Shkollën “ Ismail Qemali” janë mbi 60 fëmijë më nevoja të veçanta. Ndërsa, aktualisht shkolla jonë ka gjithsej 4 asistentë në nivel të Drejtorisë së Arsimit. Këta asistentë i kemi caktuar në ato klasa ku kemi raste më të rënda të fëmijëve, të ata fëmijë që kanë vlerësim pedagogjik komunal. Ndërsa, fëmijët e tjerë nuk kemi arrit t’i mbulojmë, por prindërit e tyre detyrohen t’i paguajnë asistentët për fëmijët e tyre”, tha ajo.
Edhe, Klevis Vaqari, nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, i tha Radio Kosovës se numri i profesionistëve dhe asistentëve të angazhuar nëpër shkolla nuk i plotëson kërkesat dhe nevojat e fëmijëve me nevoja të veçanta.
“Ka nevojë për të rritur numrin e të gjithë profesionistëve mbështetës, qoftë asistentëve, qoftë profesionistëve të tjerë. Është i nevojshëm angazhimi i tyre në mënyrë që të garantohet gjithëpërfshirja dhe kjo gjithëpërfshirje të mos jetë vetëm fizike, por të jetë me të vërtetë në funksion të zhvillimit të tyre”, tha Vaqari.
Ndërkaq, njohësi i fushës së arsimit, Xhavit Rexhaj, i tha Radio Kosovës së asistentët e fëmijëve me nevoja të veçanta, nuk po i ndihmojnë fëmijët të integrohen në procesin edukativo arsimor.
“ Asistentët për fëmijët me nevoja të veçanta nuk po përdoren ashtu si duhet. Asistentët duhet të ndihmojnë që t’i integrojnë fëmijët me nevoja të veçanta, ndërsa ata po e bëjnë të kundërtën pasi po i ndajnë nga fëmijët e tjerë e po punojnë vetëm me një fëmijë. Zhvillimi i tashëm i politikave për fëmijët me nevoja të veçanta është integrimi i këtyre fëmijëve. E në realitet angazhimi i asistentëve po krijon ndarje dhe izolim të fëmijëve me nevoja të veçanta nga fëmijët e tjerë. E kjo situatë e ngadalëson zhvillimin dhe trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta”, tha aai
Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur së gjatë vitit 2025 në shkollat e rregullta fillore është planifikuar të punësohen 500 asistentë arsimorë.