“Nuk vlerësoj që duhet të bëjë ekzaminim psikiatrik, aktakuza është e qartë”- Shtyhet seanca ndaj ish-policit Festim Ramadani
Në Gjykatën Themelore në Ferizaj është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit Festim Ramadanit, ish-polic dhe të akuzuarit tjetër, Jeton Misini të cilët dyshohen për vrasjen e 89-vjeçarit, Sadri Sadriut, në parkingun e një restoranti në fshatin Bibaj të Ferizajt, më 16 gusht të vitit të kaluar, raporton KosovaPress. Nën pranga në gjykatore…

Lajme
Në Gjykatën Themelore në Ferizaj është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit Festim Ramadanit, ish-polic dhe të akuzuarit tjetër, Jeton Misini të cilët dyshohen për vrasjen e 89-vjeçarit, Sadri Sadriut, në parkingun e një restoranti në fshatin Bibaj të Ferizajt, më 16 gusht të vitit të kaluar, raporton KosovaPress.
Nën pranga në gjykatore u sollën dy të akuzuarit, ndërsa të pranishëm krahas avokatëve mbrojtës ishin edhe familjarët e ish-policit, Festim Ramadanit, por edhe të të ndjerit, Sadri Sadriu.
Pasi nisi seanca, kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi kërkoi nga prokurori i rastit, Valdet Ademi që të lexohet aktakuza, por më pas pati kërkesë nga mbrojtja e dy të akuzuarve për shtyrje të seancës me arsyetimin se janë vetëm avokat zëvendësues.
Avokati zëvendësues i të akuzuarit, Festim Ramadani, Naim Sahiti tha se përmes një shkrese parashtruar gjykatës kanë kërkuar shtyrje të kësaj seanca meqenëse si mbrojtje nuk kanë pas komunikim kohët e fundit me klientin e tyre.
“Meqenëse mbrojtja ka parashtruar një kërkesë për shtyrjen e kësaj seance e përshkruara si në këtë parashtresë dhe në pamundësi që mbrojtja të ketë kontakt dhe komunikim kohën e fundit me të mbrojturin tonë, kërkojmë që me këtë seancë të mos vazhdohet me lexim të aktakuzës por të shtyhet në një afat tjetër duke pas parasysh që aktualisht nuk i kemi të gjitha shkresat e lëndë“, u shpreh avokati Sahiti.
Edhe avokati zëvendësues i të akuzuarit, Jeton Misini, Driton Sejdiu kërkoi shtyrjen e seancës për shqyrtimin fillestar pasi siç tha ai është vetëm avokat zëvendësues.
“E mbështesë kërkesën e kolegut për shtyrje të seancës se unë jam vetëm me autorizim zëvendësues për Jeton Misini”, tha ai.
Më pas, gjyqtari, Ilir Bytyqi njoftoi se mbrojtja e Ramadanit ka kërkuar për herë të dytë që klientit të tij t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik dhe të transferohet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.
Sipas kërkesës së avokatit mbrojtës të ish-policit, ky i fundit ka përdorur edhe substanca psikotropike dhe ka tentuar të vetë lëndohet.
“Avokati mbrojtës, Besnik Berisha është parashtruar një urgjencë në raport me të akuzuarin, Festim Ramadani. Po e citoj kërkesën ‘Mbesim pran asaj kërkese për trajtimin e mëtutjeshëm të sëmundjes së tij mendore pranë Instituti të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, respektivisht kërkesë për ekzaminim psikiatrik dhe transferim urgjent në Institutin e Psikiatrisë Forenzike”, theksoi Bytyqi.
Përkundër që mbrojtja e tij kërkoi shtyrje të seancës një gjë të tillë e kundërshtoi vetë i akuzuari, Festim Ramadani. Ish-polici kërkoi që të deklarohet rreth fajësisë apo pafajësisë lidhur me veprën penale me të cilën ngarkohet.
“Të mos shtyhet seanca të deklarohem për fajësinë apo pafajësinë time meqenëse avokati nuk më ka konsultuar mua për shtyrje të seancës andaj seanca gjyqësore të mbahet të deklarohemi rreth fajësisë“, u shpreh Ramadani.
Karshi kërkesës së avokatit të tij, Besnik Berisha për ekzaminim psikiatrik, ish-polici, Festim Ramadani potencoi se nuk vlerëson se është e nevojshme t’i bëhet një ekzaminim psikiatrik pasi edhe trajtimin në këtë drejtim e kishte ndërprerë.
Sipas tij aktakuza që e ngarkon atë për veprën penale “vrasje e rëndë“ është e qartë dhe tregohen rrethanat se si ka ndodhur ngjarja.
“Unë nuk vlerësoj që duhet me shkua në ekzaminim edhe njëherë kam vendos, kam qenë herën e parë kam vendosur që me ndërpre ekzaminim dhe me ardhur këtu në gjyq dhe me thënë atë që kam me thënë….Aktakuza është shumë e qartë dhe tregon rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, nuk ka mundësi që diçka me mbrojtur aty se unë e kam lexuar edhe Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale nuk shoh diçka për të mbrojtur kur të gjitha senet prokurori i ka marr parasysh i ka konstatuar”, theksoi i akuzuari.
Por, përsëri avokati zëvendësues i të akuzuarit, Festim Ramadani tha se në mungesë të shkresave të lëndë do të ishte e rrugës që ky shqyrtim fillestar të shtyhet për një datë tjetër.
Në anën tjetër, vazhdim të shqyrtimit fillestari kërkoi edhe prokurori i rastit, Valdet Ademi si dhe edhe avokati mbrojtës i familjarëve të Sadri Sadriut, Shemsedin Piraj.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, Iliri Bytyqi mori aktvendim për të refuzuar kërkesën për ekzaminim të ri psikiatrik të të akuzuarit, Festim Ramadani, por aprovoi kërkesën e avokatëve zëvendësues për tu shtyrë seanca për një datë tjetër në mungesë të njohurive për materien e lëndës.
“Gjykata në lidhje më kërkesën e dy avokatëve mbrojtës merr aktvendim refuzohet kërkesa për ekzaminim të ri psikiatrik dhe transferim të të pandehurit, Festim Ramadani në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës me arsyetim se gjykata me datën 04.06.2025 ka pranuar nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike raportin e ekzaminimit me konstatimet sikurse në faqen 6/6 të këtij raporti. Aprovohet kërkesa e avokatëve mbrojtës shtyrjen e shqyrtimit fillestar me arsyetim se të njëjtin vetëm i kanë paraqitur kërkesa te avokatëve mbrojtës dhe nuk janë të aftë të deklarohen mëtutje për shkak që nuk e njohin materien e kësaj çështje penale dhe çdo deklarim i të akuzuarve për fajësinë apo pafajësinë do të na sfidonte profesionalisht”, tha ai.
Seanca e radhës për shqyrtimin fillestar për këtë rast u caktua më 29 shtator nga ora 13:00.
Nga pala e dëmtuar trupi gjykues kishte bërë kërkesë që shqyrtimi gjyqësor në këtë rast të jetë i mbyllur për publiku, e për këtë kërkesë kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi tha se nuk ka vendosur për këtë kërkesë dhe do ta rivlerësojnë rishtazi.
Më 18 korrik të këtij viti, Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ngriti aktakuzë ndaj ish-zyrtarit policor, Festim Ramadani dhe Jeton Misinit, për shkak të dyshimit të bazuar të veprës penale “Vrasja e rëndë”, rast ky që ndodhi, më 16 gusht 2024, në Ferizaj