Nuk u siguruan dëshmitarët e mbrojtur, anulohen disa seanca të caktuara në gjykimin ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku për krim të organizuar dhe vepra tjera penale po akuzohen Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, është anuluar seanca e planifikuar për të enjten, për shkak të mungesës së dëshmitarëve të mbrojtur. Nga zyra e kryetari…

Lajme

16/10/2025 11:15

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku për krim të organizuar dhe vepra tjera penale po akuzohen Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, është anuluar seanca e planifikuar për të enjten, për shkak të mungesës së dëshmitarëve të mbrojtur.

Nga zyra e kryetari i trupit gjykues, gjyqtarit Valon Kurtaj, u bë e ditur se për të njëjtat arsye sikurse në seancën e 22 prillit 2025, dhe 28 prillit 2025, është anuluar edhe seanca e sotme, pasi që nuk kanë arritur t’i sigurojnë dëshmitarët.

Lidhur me këta dëshmitarë, u bë e ditur se janë nën programin e mbrojtjes së EULEX-it, rrjedhimisht të njëjtit sigurohen nga EULEX-i.

Kështu, në mungesë të dëshmitarëve, seanca e planifikuar për sot dhe datat e tjera të caktuara nga kjo Gjykatë, janë anuluar.

Ndryshe, në këtë rast gjykimi është duke vazhduar për pikën 16, 17 dhe 18 të aktakuzës ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, për të cilët ishte veçuar procedura.

Në këtë rast, në pikat tjera të aktakuzës ngarkoheshin: Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato. Aktvendimin e Themelores, e kishte lënë në fuqi Gjykata e Apelit në korrik 2018.

Po ashtu, Themelorja kishte aprovuar marrëveshjen e të akuzuarës Mirvete Hasani-Lushtaku me Prokurorinë për pranimin e fajësisë ku e njëjta ishte dënuar me 3 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale “Lehtësim të arratisjes së personit të privuar nga liria”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur më 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.

Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri ishte anuluar nga Gjykata e Apelit. Më pas, Emrush Thaqi dhe Nexhib Shatri ishin liruar në rigjykim nga akuza me aktgjykim të shpallur nga gjykatësi Agim Kuçi.

Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romulo Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marrë shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.

Pika e parë e aktakuzës ngarkonte Emrush Thaqin se më dhe pas 20 majit 2014, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit të Prishtinës, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke shkelur qëllimshëm dhe me vetëdije një ligj i cili ndërlidhet me detyrat e tij dhe qëllimisht nuk ka zbatuar detyrat e tij, duke u mundësuar të paraburgosurve në rastin P.938/13 (i njohur si Rasti Drenica): Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, të arratisen nga objekti i Spitalit Rajonal të Prishtinës.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit për vete, në formë të ngritjes në pozitë në drejtor të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke u mundësuar tre të pandehurve të gëzojnë masa më të lehta dhe joadekuate të sigurisë nga SHKK, gjë që u ka mundësuar atyre të arratisen nga mbikëqyrja korrektuese dhe duke e detyruar gjyqtarin të ndryshojë vendimin e 19 majit 2014, për transferimin në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

Aktakuza thotë se i pandehuri nuk është kujdesur për caktimin e dy rojeve të burgut për ta mbikëqyrur secilin të pandehur, nuk është kujdesur për sigurimin e pranisë së paku të një oficeri korrektues në dhomën e të pandehurit gjatë gjithë kohës, nuk është kujdesur nëse stafi ka qenë i caktuar për ruajtjen e të paraburgosurve në spital kanë qenë mjaftueshëm të kualifikuar për kryerjen e mbikëqyrjes korrektuese të të paraburgosurve të nivelit të lartë.

Më tej, thuhet se nuk është kujdesur për vendosjen e të pandehurve në dhoma të siguruara majftueshëm apo si alternativë të sigurojë dhoma mjaftueshëm në mënyrë që të parandalohet arratisja e tyre, nuk është kujdesur për pajisjen e oficerëve korrektues të caktuar për ruajtjen e të pandehurve, me mjetet e përshtatshme të sigurisë, nuk është kujdesur për mbajtjen e të pandehurve me pranga, përveç në rastet kur kjo është kërkuar për ofrimin e trajtimit mjekësor.

Po ashtu, thuhet se nuk është kujdesur për moslejimin e vizitorëve pa leje nga gjykata që të vizitojnë të pandehurit, nuk ka urdhëruar vartësit e tij zyrtarë korrektues (Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj) të caktuar për ruajtjen e të pandehurve, të bashkëpunojnë plotësisht me zyrtarët e PK-së, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, nuk ka paraqitur kërkesë në Komisionin për Kategorizimin e të Burgosurve, të kategorizojnë të pandehurin Ismet Haxha si i paraburgosur me rrezikshmëri tejet të lartë, rrezikshmëri të lartë apo rrezik të lartë për arratisje dhe nuk ka nisur procedurë disiplinore kundër të paraburgosurit të arratisur Haxha, i cili është mbajtur në Qendrën e Paraburgimit të Prishtinës.

Në këtë mënyrë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1., 2.1., 2.2 dhe 2.3 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, thuhet se nga 11 nëntori 2014 deri më 22 shtator 2015, Emrush Thaqi, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të SHKK-së, keqpërdori detyrën duke mos ushtruar kontrollin ndaj njësisë vartëse korrektuese të Qendrës së Paraburgimit të Dubravës dhe i ka mundësuar të paraburgosurit të rastit P.938/13, Sami Lushtaku, të gëzojë trajtim korrektues preferencial dhe të parregullt gjatë kohës sa ka qenë në paraburgim, duke kulmuar me arratisjen e tij më 21 gusht 2015 dhe 22 shtator 2015.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit për vete, duke vazhduar të mbetet në pozitën e drejtorit të SHKK-së, dhe për të paraburgosurin, duke i mundësuar atij të gëzojë masa më të lehta dhe joadekuate të sigurisë nga SHKK, gjë që i ka mundësuar të arratiset.

Në aktakuzë thuhet se Thaqi nuk ka organizuar mbikëqyrjen e duhur të të paraburgosurit derisa ka qenë duke u transportuar jashtë Qendrës së Paraburgimit në Dubravë, nuk është kujdesur për mbikëqyrjen e zyrtarëve korrektues vartës për zbatimin e rregullave lidhur me transportimin dhe hospitalizimin e të pandehurit jashtë Qendrës së Paraburgimit dhe nuk është kujdesur për zbatim të procedurave që kanë të bëjnë me kategorizimine të paraburgosurit si i paraburgosur me rrezikshmëri tejet të lartë, rrezikshmëri të lartë apo rrezik të lartë të arratisjes.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1., 2.1., 2.2 dhe 2.3 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

Pika e tretë e aktakuzës e ngarkonte Shemsi Hajrizin se mes 19 dhe 22 majit 2014, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të SHKK-së, keqpërdori detyrën duke refuzuar publikisht të zbatojë vendimin e gjyqtarit në rastin P.938/13 të 19 majit 2014, me të cilin urdhërohej transferimi i të pandehurve Sabit Geci, Sylejman Selimi, Avni Zabeli, Jahir Demaku, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, duke nxitur vartësit e tij nga stafi korrektues të kundërshtojnë zbatimin e këtij vendimi në lidhje me të pandehurit Lushtaku, Jashari dhe Haxha.

Këtë thuhet se e ka bërë me qëllim të përfitimit për të tre të pandehurit, në atë mënyrë që të arratisen nga spitali dhe duke detyruar gjyqtarin të ndryshojë vendimin e tij për transferimin në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë dhe qëllimisht nuk i është bindur urdhrit të gjykatës.

Me këtë, Hajrizi akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1., 2.1 dhe 2.2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

Pika e katërt, ngarkonte Sami Lushtakun, Sahit Jasharin dhe Ismet Haxhën se në orët e mëngjesit të 20 majit 2014 dhe orëve të mbrëmjes së 22 majit 2014, në objektet e Spitalit Rajonal në Prishtinë, në bashkëkryerje dhe përmes një plani të pajtuar mes tyre, derisa kanë qenë të paraburgosur për rastin P.938/13 (Rasti Drenica), kanë ikur nga dhomat e spitalit ku kanë qenë në mbajtje për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore të pretenduar dhe janë fshehur në lokacion të panjohur, duke u arratisur nga ky institucion.

Me këtë, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të “Arratisjes së personit të privuar nga liria” në bashkëkryerje, në kundërshtim me nenin 405, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim deri në 3 vite.

Në pikën e pestë të aktakuzës ngarkoheshin Mergim Lushtaku dhe Dardan Geci se në periudhën e njëjtë si në pikën e 4-të të aktakuzës, në objektin e Spitalit Rajonal të Prishtinës, duke vepruar në bashkëkryerje dhe sipas planit, kanë ndihmuar Sami Lushtakun të arratiset dhe të shkojë në vend të panjohur, ku qëndroi i fshehur deri më 22 maj 2014.

Me këtë, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të “Lehtësimit të arratisjes së personave të privuar nga liria” në bashkëkryerje, nga neni 406, par.1 dhe 4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim nga 1 deri në 8 vjet. /BetimipërDrejtësi