Nuk u realizua asnjëra, edhe pse përmendi data- Kurti sërish flet për projektet e njëjta autostradën e Gjilanit, rrugën për Tetovë e Operën

Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar para delegatëve të Lëvizjes Vetëvendosje një plan ambicioz për mandatin e ardhshëm qeverisës, duke premtuar investime kapitale që do të tejkalojnë vlerën monetare prej 1 miliard euro në vit. Në fjalimin e tij, ai është fokusuar në zhvillimin e infrastrukturës rrugore, forcimin e kapaciteteve ushtarake, mbështetjen për kulturën dhe sportin,…

Lajme

09/09/2025 10:13

Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar para delegatëve të Lëvizjes Vetëvendosje një plan ambicioz për mandatin e ardhshëm qeverisës, duke premtuar investime kapitale që do të tejkalojnë vlerën monetare prej 1 miliard euro në vit.

Në fjalimin e tij, ai është fokusuar në zhvillimin e infrastrukturës rrugore, forcimin e kapaciteteve ushtarake, mbështetjen për kulturën dhe sportin, si dhe në integrimin evropian të vendit, raporton lajmi.net.

Kurti ndaloi pikërisht tek sektori i infrastrukturës- sektor ky thuajse i “dështuar” i qeverisë në detyrë. Kurti publikisht ka premtuar përfundimin e autostradave Prizren–Tetovë, Prishtinë–Gjilan–Dheu i Bardhë, si dhe rrugët e Podujevës e ato në Duhël–Shtime–Banullë.

Premtimet këto që ishin dhënë edhe më herët e që s’u realizuan deri më tani pavarësisht udhëheqjes së shtetit.

Hapur Kurti u deklarua përsëri edhe për autostradën e “harruar” të Gjilanit, për të cilën dikur shprehej i bindur se do të hapet për qarkullim më 2023.

Edhe pse mbeti asgjëkundi, Kurti gjeti “forcën” që të flasë përsëri rreth kësaj autostrade.

Në korrikun e vitit 2023 Kurti deklaroi se autostrada do të hapet brenda atij viti, duke argumentuar se “më shumë se 70% e punimeve kishin përfunduar”.

“Kanë përfunduar mbi 70% të punimeve. I vizituam tre llotet. Llotin e parë në gjatësinë mbi 4.8 km, llotin e dytë 2.5 km dhe llotin e tretë 2.2 km, me ç’rast e pamë edhe punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet llotit të parë dhe llotit të dytë që në këtë mënyrë do të mundësojë edhe lidhjen e fshatrave Smallushë dhe Sllovi që të kenë gjithashtu qasje. Gjithsej kjo pjesë do të ketë gjatësinë prej 22.8 km, prej Banullës në Lipjan te Bresalci në Gjilan”- kishte shkruar Kurti më 21 korrik 2023.

Por në janar 2025, Kurti vetë pranoi praninë e problemeve serioze si rrëshqitjet e dheut dhe mungesa të matjeve gjeomekanike të sakta, duke mos dhënë ndonjë afat të ri të qartë për përfundimin e rrugës.

Poashtu premtime për hapjen brenda dy vitesh, kishte edhe për rrugën Prizren – Tetovë, kur gjatë fushatës elektorale në vitin 2021, Kurti paraqiti këtë rrugë si prioritet infrastrukturor , madje ai tha se brenda 2 vitesh qytetarët mund të shkojnë për kafe në Tetovë.

“Bashkë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut jemi dakorduar që sivjet ta projektojmë rrugën, ndërkaq vitin e ardhshëm ta realizojmë atë në tërësi. Kismet, pas dy ose tri vitesh do të udhëtojmë së bashku prej Prizrenit në Tetovë, ashtu veç për kafe”, deklaronte Kurti.

Ndërkaq, zotimi i tij i fundit është rruga Duhël–Shtime–Banullë, ku gjatë një tubimi elektoral në Shtime në janar 2025, Kurti përmendi këtë projekt si pjesë të investimeve të planifikuara në mandatin e ardhshëm:

“Në mandatin e ardhshëm, kemi ende shumë punë përpara. Ndër projektet kryesore janë: Ndërtimi i Kompleksit Memorial të Masakrës së Reçakut, i dyti pas atij të Epopesë në Prekaz. Vazhdimi i autostradës Duhël–Shtime–Banullë, me gjatësi 31 km. Ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, me vlerë 3 milionë euro. Ndërtimi i Entit Special të Shtimes, investim prej 6 milionë eurosh. Rinovimi i Parkut Teknologjik dhe ndërtimi i nënstacionit të transmisionit 110 kV për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, tha Kryeministri Kurti.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu ndërtimin e Rrugës së Dukagjinit, që do të lidhë Prizrenin me Istogun përmes Gjakovës, Deçanit e Pejës. Vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe projekteve ndërkufitare, si rrugët Deçan–Plavë dhe Pejë–Rozhajë. Sipas tij, përfundimi i rrugëve Dollc–Gjakovë dhe Kijevë–Zahaq do të shoqërohet me modernizimin e rrugëve rajonale.

Në fushën e kulturës dhe sportit, Kurti përmendi Lojërat Mesdhetare 2030 si mundësi historike për të kthyer Kosovën në një epiqendër sportive rajonale. Projekte të rëndësishme përfshijnë Stadiumin Nacional, Qendrën Akuatike, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, si dhe Teatrin e Operës dhe Baletit e Muzeun e Artit Bashkëkohor.

“Kosova për herë të parë do të ketë ndërtesë të dinjitetshme për Operë dhe Balet”, thoshte më 2021.

Por, as në vitin 2025 Kosova nuk e ka këtë ndërtesë. Tash, kreu i VV-së premton se do të ndërtohet në mandatin tjetër:

“Projektet e mëdha si Teatri i Operës dhe Baletit dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor do të bëhen pika referimi globale”, deklaroi ai.

Premtim i ngjashëm e i parealizuar mbeti edhe stadiumi nacional i futbollit mbeti vetëm në letër.

“Afër kryeqytetit do të ndërtojmë qendrën më të madhe multifunksionale, pjesë e së cilës do të jetë edhe stadiumi nacional”.

Por, as ky projekt nuk nisi. Në mbledhjen e fundit, ai e përmendi sërish, pa afate.

“Plani për infrastrukturën e futbollit duke përfshirë Stadiumin nacional”,tha Kurti.

Një nga projektet strategjike që u përmend ishte edhe Porti i Thatë, që pritet të pozicionojë Kosovën në qendër të transportit të mallrave në Ballkan.

Kurti njoftoi gjithashtu rritje të madhe të buxhetit për mbrojtjen, duke deklaruar se mbi 1 miliard euro do të ndahen për ushtrinë në katër vitet e ardhshme.

Ai theksoi planin për funksionalizimin e fabrikës së municioneve, zhvillimin e dronëve ushtarakë “Made in Kosova”, si dhe krijimin e një njësie të përbashkët ushtarake me Shqipërinë. Një nga synimet kryesore është që në mandatin e ardhshëm 1000 gra e vajza t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për sa i përket politikës së jashtme, Kurti theksoi angazhimin për të avancuar drejt statusit të vendit kandidat për BE, thellimin e bashkëpunimit me shtetet e NATO-s dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të reja ndërkombëtare, përfshirë edhe dyfishimin e rrjetit të atasheve të mbrojtjes.

Në fund të fjalimit, Kurti kritikoi Gjykatën Kushtetuese për vendimin që sipas tij ka bllokuar Kuvendin për 25 ditë, duke e quajtur këtë një “masë absurde dhe të dëmshme” që, siç tha ai, i shërben interesave të opozitës./Lajmi.net/