“Nuk punojnë që tri vite” – Vitia mundohet të arsyetohet për pishinat e hidroterapisë në QKUK: Problemet teknike me gypat penguan funksionalizimin

Dy pishina të destinuara për hidroterapi fizikale dhe rehabilitim, tash e tri vjet, nuk janë vënë në funksion, ndonëse ishin mbushur me ujë ditën e përurimit. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka dhënë sqarime lidhur me arsyet e kësaj vonese gjatë një konference për media, raporton lajmi.net Sipas tij, përurimi i vitit 2022 kishte të…

Lajme

19/03/2026 13:20

Dy pishina të destinuara për hidroterapi fizikale dhe rehabilitim, tash e tri vjet, nuk janë vënë në funksion, ndonëse ishin mbushur me ujë ditën e përurimit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka dhënë sqarime lidhur me arsyet e kësaj vonese gjatë një konference për media, raporton lajmi.net

Sipas tij, përurimi i vitit 2022 kishte të bënte me Klinikën e Fiziatrisë dhe jo me funksionalizimin e hidroterapisë brenda saj, ndërsa problemet teknike kanë penguar përdorimin e pishinave.

Ministri theksoi se ka kërkuar raport të detajuar nga menaxhmenti dhe bordi i ShSKUK-së, si dhe ndërmarrjen e masave të menjëhershme për funksionalizimin e hidroterapisë dhe përcaktimin e përgjegjësive për këtë zvarritje disa vjeçare.

“Në vitin 2022, kur kemi shkuar, nuk kam qenë vetëm unë, ka qenë edhe kryeministri Kurti, besoj që veç e dini. Ne kemi shkuar për të përuruar Klinikën e Fiziatrisë, jo hidroterapinë brenda klinikës dhe i kemi parë të gjitha ambientet ku pacientët, në fazën e rehabilitimit, do të marrin këtë terapi, sepse siç e dini më herët kjo ka ndodhur në bodrumet e Klinikës së Kirurgjisë në kushte jashtëzakonisht të rënda. Ndër të tjera, aty ka qenë edhe bazeni ku unë kam shkuar, ka qenë i mbushur me ujë dhe pas publikimit në media të kësaj storie kam kërkuar natyrisht përgjegjësi nga menaxhmenti i ShSKUK-së dhe i QKUK-së, ku përgjigjja e tyre ka qenë që është mbushur atë ditë për ta testuar, mirëpo kanë parë një problem sa i përket gypave për pastrim, të cilat pastaj, ose nga neglizhenca apo arsye të tjera që i pres nga raporti që vjen, nuk është mbushur me ujë dhe nuk ka filluar edhe pjesa e hidroterapisë. Këtë po e përmendi se shërbimet e tjera në këtë klinikë merren të gjitha në kushte shumë më të mira dhe në pajisje shumë më të mira se sa kanë qenë. Po e pres raportin edhe nga menaxhmenti i ShSKUK-së, kam kërkuar nga bordi që të ndërmerren masa sa më shpejt që edhe kjo lloj terapie t’u ofrohet pacientëve tanë që kërkojnë rehabilitim dhe pse ka ndodhur kjo për 3 vite që nuk është funksionuar dhe të merren masat konform ligjit dhe rregulloreve të brendshme”, tha Vitia./Lajmi.net/