Nuk priten ndërrime në Qeveri

Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se Ministrat aktualë do ta përfundojnë mandatin në postet që mbajnë. Bernard Nikaj pritet të promovohet në postin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë dhe të bëhet zëvendësimi i dy ZëvendësMinistrave.

Lajme

23/01/2014 17:30

Qeveria e Kosovës, megjithatë, nuk pritet të ndryshojë në muajt e fundit të mandatit të saj.

Përkundër paralajmërimeve dhe raportimeve për riformatizim të kabinetit qeveritar të drejtuar nga Hashim Thaçi, burime të lajmi.net bëjnë të ditur se Ministrat aktualë do ta përfundojnë mandatin në postet që mbajnë.

“Nuk do të ketë shkarkime të Ministrave aktualë”, ka thënë burimi i lajmi.net.

I njëjti është shprehur se i vetmi ndryshim që do të bëhet në përbërjen e Qeverisë është promovimi i Bernard Nikajt në postin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.

Nikaj deri më tani ka mbajtur postin e ZëvendësMinistrit të Tregtisë dhe Industrisë dhe është Ushtrues i Detyrës së Ministrit qëkur Mimoza Kusari-Lila dha dorëheqje për të garuar për postin e Kryetares së Komunës së Gjakovës në zgjedhjet e fundit komunale.

Në të njëjtën kohë, bëhet e ditur se së shpejti pritet edhe zëvendësimi i dy ZëvëndësMinistrave, por ndryshimet brenda Qeverisë “do të përfundojnë me kaq”.