Nuk po i dëgjon këshillat – Kurti u lutet aleatëve që të bindin pesë vendet e BE-së ta njohin Kosovën
Një ditë pas njohjes së Kosovës nga Siria, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka kërkuar nga vendet aleate që të angazhohen për t’i bindur pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës që ta bëjnë këtë. Pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës…
Lajme
Një ditë pas njohjes së Kosovës nga Siria, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka kërkuar nga vendet aleate që të angazhohen për t’i bindur pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës që ta bëjnë këtë.
Pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja, transmeton lajmi.net.
Duke folur në Forumin e Paqes në Paris, Kurti tha se Qeveria e Kosovës po punon në mënyrë dypalëshe me këto vende, duke theksuar se deri më tani ka pasur përparime të pjesshme. Ai përmendi njohjen e pasaportave të Kosovës nga Spanja dhe ngritjen e statusit të Zyrës së Kosovës në Greqi, si hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.
“Dje Kosova u njoh nga Siria. Gjatë këtij viti edhe Kenia dhe Sudani na kanë njohur. Kjo do të thotë se tashmë 120 shtete nga e gjithë bota e kanë njohur Republikën tonë. Ne po punojmë në mënyrë dypalëshe me këto pesë vende mosnjohëse të BE-së. Ka përparime – Spanja ka njohur pasaportat tona, Greqia ka ngritur statusin e zyrës sonë në Athinë, edhe pse njohja ende s’ka ndodhur. Po punojmë shumë dhe na duhet që shtetet që na kanë njohur t’i bindin ato që ende s’e kanë bërë,” tha Kurti.
Sipas tij, pavarësisht se këto shtete nuk e kanë njohur formalisht Kosovën, asnjëra prej tyre nuk e kundërshton rrugën evropiane të vendit. “Kemi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, jemi pjesë e Procesit të Berlinit dhe marrim pjesë në Planin e Rritjes së BE-së,” shtoi ai.
Në kuadër të diskutimit me temën “Paqeruajtja në një udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”, Kurti theksoi se Kosova është histori e dyfishtë suksesi: “Së pari, është histori suksesi e ndërhyrjes ushtarake dhe humanitare të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë, dhe, së dyti, si shtet ku zhvillimi dhe demokracia ecin krah për krah njëra-tjetrës”./lajmi.net/