Nuk përjashtohen Limaj e Krasniqi
Kërkesa e Sokol Bashotës për përjashtimin e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit nga Këshilli Drejtues i PDK'së është hedhur poshtë. Nënkryetari i PDK'së, Hajredin Kuçi, thotë se PDK nuk ka logjikë të përjashtimit të njerëzve nga partia.
Lajme
Edhe pse sot një javë hapin zyrtarisht partinë e re dhe zyrtarisht s’janë më në PDK, Jakup Kransiqi e Fatmir Limaj kanë ende emrat në Këshillin Drejtues të PDK’së.
Kjo e ka shqetësuar Kryetarin e Komunës së Klinës, Sokol Bashotën, i cili, të premten, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK’së, kërkoi përjashtimin e tyre.
Por, një kërkesë të tillë nuk e ka aprovuar KD i PDK’së.
Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, ka deklaruar se PDK nuk do ta përjashtojë asnjë anëtar të saj.
“Partia Demokratike nuk ka logjikë të përjashtimit të njerëzve nga partia, ka logjikë të afrimit të njerëzve në parti”.
“Partia është e madhe, është e fortë, do të forcohet edhe më shumë, është demokratike, parti politike, bashkimi evoluon, nuk është imponues, jetojmë në demokraci”, ka deklaruar Hajredin Kuçi, raporton RTK.