Nuk koordinohen akterët e VV-së për deklaratën e Nenad Rashiqit, dikush thotë se e faktorizoi ndaj Listës Serbe e dikush se ishte ngatërresë
Një deklaratë e Nenad Rashiqit e dhënë për radion lokale Radio Gorazhdevci, solli konfuzion dhe reagime të shumta. Rashiq në atë intervistë tha se 24 hektarët që iu dhanë Manastirit të Deçanit gjatë qeverisjes së Kurtit, u dhanë për hatër të tij. “Do ta them, ndoshta pa modesti, por ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme.…
Lajme
Një deklaratë e Nenad Rashiqit e dhënë për radion lokale Radio Gorazhdevci, solli konfuzion dhe reagime të shumta.
Rashiq në atë intervistë tha se 24 hektarët që iu dhanë Manastirit të Deçanit gjatë qeverisjes së Kurtit, u dhanë për hatër të tij.
“Do ta them, ndoshta pa modesti, por ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Për vite me radhë kam shpjeguar pse ishte e rëndësishme. Në fund, kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por e di – për shkakun tënd” – deklaroi Rashiq.
E për këtë deklaratë, menjëherë mbrëmë ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka.
Ai tha se krejt kjo ishte një ngatërresë e Rashiqit me një ngjarje tjetër.
“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.
Se e ngatërroi këtë ngjarje me atë të vizitës së Patriarkut, u shpreh edhe Nenad Rashiq sot përmes një prononcimi për lajmi.net.
“Është një fjalë dhe një rast tjetër që ka ndodhur me të vërtetë për viziten e patriarkut ne vitin 2023, mos gabofsha. Kështu që në kete rast ka ndodhur një ngatërrim i fjalëve”, ka thënë Rashiq për lajmi.net.
Kur është pyetur se a kishte të bënte deklarata e tij me 24 hektarët, Rashiq e ka mohuar.
“Jo, jo! Atë koment kur e dhashë deklaratën e kam krijuar konfuzion dhe kam perdorur një rast tjetër në vend të ketij rasti. Pra aty është një gabim”, ka thënë Rashiq për lajmi.net.
Por, krejt një arsye tjetër e ka dhënë ish-deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi përmes një postimi në Facebook.
Ai tha se me këtë veprim. Kurti kishte tentuar “ta faktorizonte” atë ndaj Listës Serbe.
“Problemi i dytë është se deklaraten e Nenad Rashiqit nuk e shohin si angazhim të KM Albin Kurti për ta faktorizuar sadopak Nenad Rashiqin kundër Listës Serbe, por reagojnë të sinkronizuar thua ti po i shqetëson pse Lista Serbe i ka 9 deputetë e jo 10”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.
Në lidhje me këtë deklaratë të Rashiqit ende nuk ka folur kryeministri Albin Kurti por që ka nxitur reagime të shumta.
Akterë të opozitës e kanë parë këtë si veprim të rrezikshëm për shtetin e disa e kanë quajtur edhe “tradhti kombëtare”.
Më 13 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që të transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ai tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës ishte kritikuar nga zyrtarët lokalë në Deçan dhe një shoqatë e historianëve në këtë komunë, që e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë.
Toka, që u regjistrua në pronësi të Manastirit, gjendet rreth këtij manastiri, në kadastër kishte qenë e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” – e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.
Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.
Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e kishin zbatuar, duke argumentuar se kjo sipërfaqe ishte marrë me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Nga Manastiri i Deçanit kishin thënë më herët se në vitin 1997, manastirit iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, të cilët i ishin marrë në vitin 1946 nga pushteti komunist i Jugosllavisë së atëhershme.
Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht i kishte kërkuar Kosovës që të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me 24 hektarët tokë të Manastirit të Deçanit. /Lajmi.net/