Nuk kërkojmë njohje të Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Heinz Wilhem, konsideron se Dialogu në Bruksel është i lidhur ngushtë me bisedimet Serbi-BE. Sipas tij, BE nuk do të kërkojë nga Serbia që ta njohë Kosovën. Thotë se është e nevojshme një marrëveshje ligjore e detyruese.

Lajme

11/01/2014 20:40

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Heinz Wilhem, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë e bisedimeve me BE, por jo edhe njohja e pavarësisë, raporton B92.

“Ne vlerësojmë se është e nevojshme arritja e një marrëveshje ligjore dhe detyruese, por nuk është e thënë të caktohet përmbajtja e kësaj marrëveshjeje. Kërkohet nga të dyja palët që të arrihet një marrëveshje”.

Sipas tij, ekzistojnë forma të ndryshme për të arritur këtë marrëveshje dhe është herët të diskutohet për këtë.

“Kemi shembullin kur dy Gjermanitë kishin arritur një marrëveshje në vitin 1972, por Gjermania Lindore nuk e kishte pranuar pavarësinë e Gjermanisë Perëndimore, por që të dy shtetet ishin pajtuar që të jenë pjesë e OKB’së”.

Wilhen ka konstatuar se dialogu Prishtinë-Beograd duhet të shkojë paralel me bisedimet e Serbisë për anëtarësim në BE.

“Këto dy procese janë të lidhura ngushtë mes vete dhe se është vështirë t’i ndash”.