‘Nuk kam me luajt unë’ – Kurteshi kërkon shkurtim të afateve për sallat e sportit në balotazhin e 9 nëntorit
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, gjatë mbledhjes së 76-të të KQZ-së, theksoi një kërkesë të tij për shkurtimin e afatit kohor për shfrytëzimin e sallave sportive, të cilat do të përdoren për balotazhin e 9 nëntorit. Kurteshi tha se ka dëgjuar se ka pasur ankesa nga komunat dhe…
Lajme
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, gjatë mbledhjes së 76-të të KQZ-së, theksoi një kërkesë të tij për shkurtimin e afatit kohor për shfrytëzimin e sallave sportive, të cilat do të përdoren për balotazhin e 9 nëntorit.
Kurteshi tha se ka dëgjuar se ka pasur ankesa nga komunat dhe qytetarët lidhur me pamundësinë e përdorimit të sallave sportive gjatë periudhës së rezervimit për procesin zgjedhor, dhe kërkoi që ky afat të rishikohet.
“Po e hapi një çështje, e di se është vonë, është sa i përket qendrave komunale të numërimit. E kam parë se janë rezervu pesë ditë për qendrat komunale të numërimit. Zakonisht janë sallat e sporteve të qytetit apo të shkollës, edhe në ato kohë ato nuk mund të shfrytëzohen për qëllime të tjera. Duke e ditur se tani procesi është më i thjeshtë, unë dua të pyes drejtorin dhe sekretariatin, duke e ditur se verifikimi është më i lehtë, a është e mundur me u shkurtu kjo kohë, për shkak se procesi ka me shku shumë më shpejt. Pra, pyetja ime është, por mos me thënë kërkesa ime, sa probleme mundet me shkaktu. Po ju them që dëgjova në radio se ka ankesa anësore se po zihen sallat e sporteve edhe po i pengon aktivitetet. Janë çështje që prekin një spektër më të gjerë“, tha Kurteshi.
Për këtë, drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se afati nuk mund të ndryshohet.
“Natyrisht se procesi ka me shku më shpejt, por çështja e verifikimit është përcaktu prej KQZ-së. Është veprim që është përcaktu me procedurë që është miratu“, tha ai.
Kurteshi, duke qeshur, i ktheu kundërpërgjigje Buzhalës.
“Unë s’e kam problem, se asnjë ndeshje s’kam me zhvillu“, shtoi ai me humor.
Ndërsa anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, tha se procesi kërkon kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për transparencë.
“Kemi punu në çështje të QKN dhe e kemi parë se mbledhja e materialit kërkon një hapësirë dhe transparencë, dhe kjo merr kohë. Komuna e Prishtinës merr më shumë kohë, edhe pse sado të jenë të thjeshta procedurat“, tha ai.
Kurteshi sërish reagoi, duke theksuar me ironi se ndeshjet sportive kryesore zhvillohen në Prishtinë dhe jo në qytetet tjera, prandaj komunat më të vogla nuk duhet të kenë pengesa të tilla.
“Pra, nuk ka mundësi me kthy, po në Junik nuk luhet asnjë ndeshje, luhet në Prishtinë“, tha Kurteshi.
Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim edhe për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin Komunal të Gllogocit, pas përfundimit të vendimmarrjes lidhur me procesin e ankesave nga Gjykata Supreme. Pas shpalljes së rezultateve, duke filluar nga dita e mërkurë (5 nëntor 2025, ora 15:00) subjektet politike të certifikuara dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre ndaj këtyre rezultateve në afat brenda 48 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.