Nuk ka mësim
Komuna e Prishtinës thotë se nuk ka mësim përderisa nuk sigurohet se shëndeti i fëmijëve nuk është në rrezik. Kërkojnë ndihmë nga prindërit dhe qytetarët që të zbardhet ky rast.
Lajme
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është i vendosur që të mos fillojë procesi mësimorë në asnjë shkollë pa u siguruar se shëndeti i fëmijëve nuk është në rrezik.
Në një komunikatë për media, Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe qytetarëve që të përpiqen që të zbardhin këtë rast.
“Kujtojmë edhe njëherë se Komuna e Prishtinës ka kontraktuar naftë (diezel), e jo vajra për ngrohje, për shkak se tek vajrat për ngrohje duhet infrastrukturë tjetër, oxhaqe të larta, filtra, të cilat shkollat tona siç e dimë, nuk i kanë”.
“Udhëzimi Administrativ 07/2012 i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë e specifikon qartë se në dizel, niveli i squfurit nuk duhet të jetë mbi 10 ppm.
“ Komuna e Prishtinës nuk do të bie pre e presionit qeveritar në këtë çështje, dhe nuk do të lejojë që të rifillojë procesi mësimor në asnjë shkollë, pa u siguruar se shëndeti i fëmijëve nuk është në rrezik.
“Po ashtu Komuna ju bën thirrje të gjithë prindërve dhe qytetarëve që së bashku të përpiqemi që ta zbardhim këtë rast”.