Nuk ka ende një vendim për rritjen e tarifave të energjisë

Adelina Murtezaj thotë se tarifat e konsumatorëve për energji elektrike nuk do të ndryshojnë pa aprovimin e ZRRE-së. Ndërsa, pohon se nga 1 prilli do të aplikohen tarifat e sezonës së ulët.

Lajme

06/04/2014 10:50

Pavarësisht paralajmërimeve, Zyra e Rregullatorit për Energji ende nuk ka venodsur për ngritjen e tarifave të energjisë në Kosovë.

Zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj, bën ditur për konsumatorët se vonesat në përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara do të sigurojnë një përcaktim sa më të saktë të tarifave për shërbimet e energjisë elektrike, raporton Radio Europa e Lirë.

“Pavarësisht afateve për përcaktimin e tarifave të reja, ZRRE-ja ende nuk e ka  përfunduar vlerësimin e aplikacioneve nga të licencuarit.

“Sipas përgjegjësive institucionale të ZRRE-së , kjo e fundit do të vendosë për tarifat e reja për konsumatorët vetëm atëherë kur sigurohemi që tarifat e energjisë të mbulojnë vetëm kosto të arsyeshme dhe të domosdoshme për operimin efikas të sistemit energjetik”, thotë Murtezaj.

Murtezaj gjithashtu ka thënë se tarifat për energji elektrike nuk do të ndryshojnë pa aprovimin e ZRRE’së.

“Tarifat e konsumatorëve të energjisë elektrike, nuk do të ndryshojnë pa aprovimin e ZRRE-së dhe nga 1 prilli 2014 do të aplikohen tarifat e sezonës së ulët (apo të njohura si tarifa verore), të njëjta me tarifat e vitit të kaluar të sezonës së ulët”.

“Gjatë muajit në vijim, ZRRE-ja do të vazhdojë të analizojë të gjitha kostot e Sektorit dhe do të vazhdojë diskutimet me ndërmarrjet  e licencuara për kostot e paraqitura në aplikacionet e tyre, duke pasur parasysh edhe përballueshmërinë e pagesave të konsumatorëve”.