Nuk janë pastruar rezervuarët me përmbajtje kancerogjene

Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Prishtinë, ka akuzuar qeverisjen komunale të Prishtinës se nuk ka bërë pastrimin e rezervuarve të shkollave, për të cilët kishte deklaruar se kanë përmbajtje kancerogjene. Sipas tyre, e njëjta lëndë po shfrytëzohet edhe tash

Lajme

28/10/2014 12:45

Grupi i këshilltarëve të Lidhjes  Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, ka akuzuar qeverisjen e Shpend Ahmetit për mospërmbushje të obligimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës.

Agim Gashi nga LDK, të martën në një konferencë për media, ka thënë se qeverisja komunale nuk ka bërë përgatitjet e duhura për ngrohjen e shkollave të kryeqytetit.

Ai ka akuzuar qeverisjen e kryeqytetit se nuk ka bërë as pastrimin e rezervuarëve për të cilët kishte thënë se kanë përbërje kancerogjene.

“Edhe pse zyrtarët e Komunës së Prishtinës i thanë opinionit se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor e vërteta është krejt diçka tjetër , edhe mu për këtë, ky grup parlamentar ngreh shqetësimin e vet”.

“E vërteta është se javën e kaluar në shumë shkolla nuk pati nxemje. Tani, edhe pas dy jave, në sezonin dimëror, institucionet shkollore të kryeqytetit janë të furnizuara vetëm për dy ose tre ditë më lëndë djegëse”.

“Pra, komuna ende nuk ka kontraktuar kompani furnizuese për lëndë djegëse. Komuna nuk ka bërë pastrimin e rezervuarëve nga e ashtuquajtura ‘naftë kancerogjene’, por e njëjta lëndë u shfrytëzua gjatë këtyre ditëve”, ka thënë Gashi.

Ai tha se ka edhe shqetësime të tjera për mos realizimin e punëve nëpër sektorë të tjerë nga Komuna e Prishtinës, madje shtoi se kjo që ka ndodhur me ngrohjen është vetëm njëra nga dështimet në sektorin e arsimit gjatë qeverisjes dhjetë mujore të Shpend Ahmetit.

E duke folur për parkingjet, Gashi u shpreh se projekti për parkingje është projekt që ka filluar para dy vjetëve, sepse Drejtoria e Shërbimeve Publike, në atë kohë, ka bërë punë të cilat kjo qeverisje sot vetëm po i vazhdon.