“Nuk jam e përfshirë dhe nuk e mbështes” – Donjeta Sahatçiu del kundër koalicionit të mundshëm LDK-PDK në Prishtinë

Ish-nënkryetarja e komunës së Prishtinës gjatë mandatit të parë të kryetarit Përparim Rama, Donjeta Sahatçiu e PDK-së, ka bërë të qartë distancimin e saj nga një koalicion i mundshëm mes LDK-së dhe PDK-së në kryeqytet. Në një postim në rrjetet sociale, Sahatçiu thekson se nuk ka qenë dhe nuk mbështet një marrëveshje të tillë, duke…

Lajme

06/02/2026 10:58

Ish-nënkryetarja e komunës së Prishtinës gjatë mandatit të parë të kryetarit Përparim Rama, Donjeta Sahatçiu e PDK-së, ka bërë të qartë distancimin e saj nga një koalicion i mundshëm mes LDK-së dhe PDK-së në kryeqytet.

Në një postim në rrjetet sociale, Sahatçiu thekson se nuk ka qenë dhe nuk mbështet një marrëveshje të tillë, duke shtuar se ka kërkuar votën për atë që ka besuar publikisht dhe pa llogaritje politike. Ajo nënvizon se, edhe pse kupton arsyet e mundshme për një kompromis politik, nuk i ka pranuar kurrë si mënyrë për të ndërtuar besim me qytetarët, transmeton lajmi.net.

“Politika, si çdo gjë tjetër për mua, fillon dhe mbaron me dinjitetin për të qëndruar besnik ndaj asaj që thua dhe punon për të,” shkruan Sahatçi, duke theksuar se ky është qëndrimi i saj i pakompromis dhe i pakthyeshëm, edhe sikur të ishte pjesë e administratës së Prishtinës.

Sahatçiu po ashtu ka njoftuar se për hir të respektit ndaj bashkëpunëtorëve nuk do të bëjë komente të tjera mbi këtë temë dhe se kjo është hera e parë dhe e fundit që prononcohet publikisht për çështje të tilla.

Postimi i plotë: 

Nuk jam e përfshirë dhe nuk e mbështes një koalicion të mundshëm LDK-PDK në Prishtinë.
Kam kërkuar votë për atë që kam besuar, publikisht dhe pa kalkulime. Edhe pse do të gënjeja nëse them se nuk i kuptoj arsyetimet politike për një kompromis, nuk i kam pranuar kurrë si mënyrë për të ndërtuar besim me qytetarët, e aq më pak sot, pas një përvoje që dëshmoi të kundërtën. Pikëpamjet e mia janë krejtësisht të kundërta dhe kam 1001 arsye për to.
Për hir të respektit ndaj bashkëpunëtorëve po përmbahem nga komentet e mëtejme, por, pas shumë telefonatave nga gazetarë në 24 orët e fundit, e ndjej përgjegjësi ta bëj të qartë distancimin tim, me fjalët e mia, para se të obligohem të demantoj dikë tjetër. Kjo është hera e parë dhe e fundit që dua të prononcohem për këtë temë.
Edhe sikur të isha në Prishtinë, ky do të ishte qëndrimi që më përfaqëson. Për ata që më njohin, kjo nuk duhet të jetë befasi. Politika, si çdo gjë tjetër për mua, fillon dhe mbaron me dinjitetin për të qëndruar besnik ndaj asaj që thua dhe punon për të./lajmi.net/