Nuk ishin dhjetë, por 90 vendvotime!
Në Kosovë, të dielën, ishin hapur 90 vendvotime për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, dhe jo dhjetë, ashtu siç kishte njoftuar Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/media/image/201403/full/izbori.jpg)
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Serbisë të hënën ka bërë të ditur se për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare serbe, të cilat u mbajtën të dielën, në Kosovë ishin hapur 90 vendvotime.
Kryetari i këtij komisioni, Dejan Gjurgjeviq, ka deklaruar se votat e qytetarëve serbë të Kosovës ende nuk janë numëruar, dhe se ky proces do të përfundojë të hënën gjatë ditës.
Njoftimi i Komisionit Qendror të Serbisë rreth numrit të vendvotimeve bie në kundërshtim me atë të Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Zëdhënësi i OSBE-së, Nikola Gaon një ditë përpara se të mbaheshin zgjedhjet, kishte deklaruar se në Kosovë do të hapeshin dhjetë qendra zgjedhore dhe 15 njësi në të cilat do të mund të votojnë qytetarët serbë me dyshtetësi.
Qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës fillimisht ishte se këto zgjedhje nuk mund të mbahen në Kosovë, por më vonë me ndryshimin e disa formulimeve, u arrit marrëveshje me ndërmjetësimin e OSBE-së, e cila mori përsipër organizimin e këtyre zgjedhjeve.