“Nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës” – Gjykata publikon aktgjykimin e plotë të zgjedhjes së Rashiqit nënkryetar të Kuvendit
Gjykata Kushtetuese e ka publikuar Aktgjykimin lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Sipas Kushtetueses, zgjedhja e Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb, më 10 tetor 2025, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendi. “TË KONSTATOJË, me 5 (pesë) vota për dhe…
Lajme
Gjykata Kushtetuese e ka publikuar Aktgjykimin lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Sipas Kushtetueses, zgjedhja e Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb, më 10 tetor 2025, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendi.
“TË KONSTATOJË, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që Vendimi [nr. 09-V071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në Aktgjykim.
Sipas aktgjykimit, e drejta për të propozuar kandidatin i takon shumicës së deputetëve të komunitetit serb dhe kjo nuk ishte respektuar.
“Në kontekst të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e deputetëve që nuk janë shumicë, Aktgjykimi nënvizon se e drejta e propozimit, sikurse që është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit dhe në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës, të konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i takon shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, të zgjedhur sipas nënparagrafëve 1 dhe 2 të paragrafit 2 të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik brenda komuniteteve përkatëse”.
Gjykata vlerësoi se mekanizmat e debllokimit, përfshirë shortin, janë përdorur në mënyrë të gabuar.
Megjithatë, për shkak të parimit të sigurisë juridike, vendimi nuk ka efekt prapaveprues
“Në aplikimin e parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, siç ka sqaruar në Aktgjykim, arriti në përfundimin se shumica e deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, duke propozuar 9 (nëntë) kandidatë. Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.
Nenad Rashiq, është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës me 10 tetor 2025, duke marrë 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime.
Nëntë kandidatët e tjerë të komunitetit serb nga Lista Serbe nuk i morën votat e mjaftueshme, duke i hapur rrugë kështu Rashiqit të propozohet dhe votohet.