“Nuk është analfabet, përkundrazi – ka përvojë të jashtëzakonshme akademike dhe institucionale në SHBA” – Çudit Kryeziu, i del në mbrojtje Dimal Bashës
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar në mbështetje të kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, pas një vale kritikash dhe përqeshjesh në opinionin publik e mediatik lidhur me figurën e tij. Përmes një postimi në rrjete sociale, Kryeziu ka bërë një analizë të biografisë akademike dhe përvojës profesionale të Bashës,…

Lajme
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar në mbështetje të kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, pas një vale kritikash dhe përqeshjesh në opinionin publik e mediatik lidhur me figurën e tij.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Kryeziu ka bërë një analizë të biografisë akademike dhe përvojës profesionale të Bashës, duke kundërshtuar kategorikisht etiketimet si “analfabet” apo “i padenjë” që, sipas tij, i janë ngjitur padrejtësisht deputetit të VV-së nga “snobët e Prishtinës” dhe “elitat e vetëshpallura”, transmeton lajmi.net
“E bëra një hulumtim për Dimal Bashën, Kryetarin e ri të Kuvendit, dhe u habita. U ndjeva keq pse, pa i ditur këto gjëra, ndonjëherë edhe unë jam bërë pjesë e tallavasë së talljeve me personalitetin e tij,” shkruan Kryeziu.
Ai ka renditur disa nga arritjet e Dimal Bashës, përfshirë studimet e tij në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, ku ka diplomuar në Drejtësi Penale Ndërkombëtare, dhe masterin në Marrëdhënie Ndërkombëtare me fokus në Konflikt dhe Siguri në The New School University, një universitet privat amerikan i njohur për qasje progresive akademike.
Gjithashtu, Kryeziu përmend përvojën institucionale të Bashës në zyrën e ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel dhe në Gjykatën Federale të ShBA-së, si analist i të dhënave kualitative.
“Në këto dy zyra nuk futesh me të njohshëm e as me kushërinj,” thekson ai, duke ironizuar me mënyrën se si zakonisht bëhet rekrutimi institucional në Kosovë.
Sipas tij, Dimal Basha është bërë cak talljesh jo për shkak të mungesës së dijes, por për shkak se nuk i përket rrethit të mbyllur të elitave të vetëpërkufizuara në kryeqytet.
“Dimalin e kanë shpallur analfabet, sepse nuk u pëlqen fytyra e tij, prejardhja e tij, mënyra si vishet, apo edhe fakti që Dimali nuk është pjesë e klubit të tyre,” shkruan ai, duke përmendur edhe gazetarin Berat Buzhala si shembull të këtij fenomeni përqeshës ndaj Bashës.
Postimi i Kadri Kryeziut përfundon me një urim publik për kryeparlamentarin e ri:
“Urime Dimal, uroj që në Kuvendin e Kosovës të injektosh sado pak nga përvoja jote amerikane, sepse ajo është përvoja e vetme që realisht vlen.”
Zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës ka nxitur debat të gjerë publik dhe polarizim mes figurave politike, opinionistëve dhe qytetarëve – disa duke e konsideruar atë një figurë të papërshtatshme dhe të përfolur, e të tjerë duke e mbrojtur në bazë të kualifikimeve dhe përvojës ndërkombëtare./lajmi.net/