Nuk do të ketë masa ndaj Goran Rakiqit për pjesëmarrje në protestë, thotë kryeministri

Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Lajme

22/09/2021 13:00

Ai ka folur edhe për zhvillimet në veri të vendit, ku ka thënë se pas vendimit për reciprocitet për targat e automjeteve, Serbia ka refuzuar të takohet në Bruksel.

“Ne jemi të hapur për diskutime dhe takime në Bruksel, këtë ja kemi konfirmuar edhe Bashkimit Evropian, por pasi që kanë marrë konfirmimin tonë, takimi është refuzuar nga pala serbe”, ka thënë Kurti, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se një qasje e tillë e Serbisë është e dëmshme edhe për rajonin.

Në anën tjetër, Kurti ka thënë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës gjendet në veri vetëm për të mbrojtur pjesëtarët e thjeshtë të policisë.

Kurti ka thënë se nuk ka dashur të marrë një vendim të tillë për targat, por një gjë e tillë është imponuar nga Serbia.

Kryeministri ka folur edhe për pjesëmarrjen e Goran Rakiqit në protestën e serbëve në veri të vendit, ku edhe është pyetur nëse do të marrë masa ndaj tij, pasi që është pjesë e Qeverisë dhe ka përkrahur deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Me atë çfarë di unë dhe çfarë më ka thënë ai, ai është kujdesur që situata të mos tensionohet, andaj edhe nuk do të marrë ndonjë masë ndaj tij”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se Kosova është për lëvizje të lirë dhe bashkëpunim dhe nuk e pengon një gjë të tillë. /Lajmi.net/