Nuk dinë si punohet e jetohet në Perëndim, megjithatë e ëndërrojnë atë

Pavarësisht fushatave të shumta të autoriteteve kompetente për të mos migruar në mënyrë të paligjshme, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë interesim për të ikur në ndonjë nga vendet perëndimore.

Lajme

09/11/2014 12:10

Hulumtime të shumta të bëra nga organizatat joqeveritare kanë treguar se numri i të rinjve të cilët dëshirojnë të ikin nga Kosova për një jetë më të mirë vazhdimisht është në rritje.

Në anketën e fundit të Agjencisë së SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar ishte thënë se deri në 25 për qind e qytetarëve janë të interesuar të migrojnë apo kanë plane të tilla.

Arsyet që nuk kanë zbehur interesimin e qytetarëve për të migruar, sipas sociologut Fadil Maloku, janë papunësia dhe kushtet e vështira ekonomike e sociale të shumë familjeve, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Duke pasur parasysh parametrat ekonomikë dhe socialë në Kosovë, me një  papunësi kaq alarmante, me një vizion të paqartë për të ardhmen e tyre dhe familjeve të tyre, është e natyrshme që do të rriten ambiciet e njerëzve që të dalin jashtë Kosovës”, thekson ai.

Sipas Malokut,  pamundësia e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm, pa viza në zonën evropiane, është edhe një faktor tjetër që ka bërë shumë të rinj të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit.

“Në një hulumtim që e kemi bërë në Shoqatën e sociologëve, del se mbi 70 për qind e të rinjve fare nuk e kanë imazhin se si duken vendet evropiane. Ata kanë informacione që kanë marrë vetëm përmes internetit apo rrjeteve sociale, por në fakt nuk e dinë si është jeta në Perëndim apo si jetohet në ato vende”, tregon Maloku.

Në anën tjetër, sipas statistikave të Policisë së Kosovës sa i përket kontrabandës me emigrantë dhe trafikimit me njerëz, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë hapur 14 raste për kontrabandë me emigrantë, kurse sa i përket trafikimit me njerëz, janë hapur 17 raste.

Zyrtarë të Qeverisë së  Kosovës tashmë mjaft herë kanë deklaruar se koha e migrimit të paligjshëm ka përfunduar dhe se Kosova është në proces të liberalizimit të vizave. Por, të rinjtë në Kosovë, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve për të mos migruar, nuk i marrin në konsideratë, por sugjerojnë që ky fenomen të parandalohet duke krijuar kushte më të mira për të rinjtë.

Ardian Beha, një i ri nga Prishtina, ka thënë se duke parë se kriza ekonomike çdo ditë e më shumë po thellohet, do të migronte edhe në mënyrë të paligjshme.

“Kushtet më të mira për jetesë janë atje, punësim, rroga më të larta e shumë gjëra të tjera”, shton ai.

Ngjashëm shprehet edhe Zana, një e re nga qyteti i Gjilanit, e cila studion në Universitetin e Prishtinës.

“Në Kosovë jeta nuk është e mirë për të rinj, kushtet nuk janë të mira, Kosova nuk të ofron vende pune e as arsimim të mirë”, thotë ajo.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i qytetarëve të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës është mbi 700 mijë. (Radio Evropa e Lirë)